Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë alarmin se deri në vitin 2050 gati gjysma e popullsisë së botës do të jenë miopë.
Mjekët okulistë rekomandojnë të paktën 1 vizitë në vit, ndërsa personat që mbajnë syze të paraqiten dy herë në vit.
“Në fakt ne kemi kohë që e shohim këtë trend, pra shtimin e numrit të fëmijëve, nxënësve, studentëve që kanë probleme me shikimin, miopinë. Konstatojmë që trendi ka ndryshuar nga hypermetropia që ishte e përhapur në moshat parashkollore dhe të fillores, konstatojmë tendencën e shfaqjes së miopisë që në mosha të vogla, gjë që nuk e hasnim para 15-20 vjetësh. Shkaqet lidhen drejtpërdrejt me përdorimin për një kohë të gjatë të aparaturave të teknologjisë dixhitale si telefoni, kompjuteri, laptopi, ipadi që fëmijët e vegjël siç jemi të gjithë dëshmitarë, i përdorin gati non stop.“- shprehet mjekja okuliste Suzana Zhuka.
Miopia është defekt i përthyerjes së rrezeve të dritës, që ka të bëjë me refraksionin dhe që në gjuhën e popullit quhet dritëshkurtër, pra shikon afër, por nuk shikon mirë larg. Ne rekomandojmë përdorimin e disa vitaminave që kanë në përbërje Betakarotenin, karotat, të verdhën e vezës, boronicat, peshkun sipas mundësive.
“Unë jam studente për Infermieri, në fakt po bëja vizitë për procedura për patentën dhe tani më tha doktoresha se kam miopi. Unë mendoj se tek unë ndikon qëndrimi për një kohë të gjatë në kompjuter rreth 3-4 orë në ditë për shkak të studimeve, por edhe qëndrimi në telefon, që gjithashtu janë shumë orë të ditës.“-shprehet një studente.
Top Channel