Putin me tone të ashpra Polonisë: Agresioni kundër Bjellorusisë është sulm ndaj Rusisë

21/07/2023 17:50

Presidenti rus, Vladimir Putin iu drejtua me tone të ashpra Polonisë, ku e akuzoi anëtarin e NATO-s për ambicie të territoreve të ish-Bashkimit Sovjetik.

Ai theksoi se çdo agresion kundër Bjellorusisë do të konsiderohet sulm ndaj Rusisë, dhe se Moska do ta mbronte shtetin fqinj me të gjitha mjetet që ka në dispozicion.

“Sa i përket liderëve polakë, ata ndoshta presin të krijojnë një lloj koalicioni nën ‘ombrellën e NATO-s’ dhe të ndërhyjnë drejtpërdrejt në konfliktin në Ukrainë, në mënyrë që më pas të përfitojnë. Dihet mirë se edhe ata ëndërrojnë tokën bjelloruse”, tha Putin.

Komiteti i Sigurisë në Varshavë mori vendim për të dërguar grupe ushtarake në lindje të Polonisë, një nga mbështetësit kryesorë të Ukrainës, pasi anëtarë të grupit mercenar rus Wagner kanë arritur në Bjellorusi, pas kryengritjes që bënë në Rusi.

Nga ana tjetër për sa i përket luftës në Ukrainë, lideri rus, u shpreh se tentativa e ushtarëve ukrainas për të marrë më shumë territore po dështon pavarësisht mbështetjes ushtarake dhe financiare nga vendet perëndimore.

“Për sa i përket mjeteve ushtarake perëndimore ato shpesh janë inferiore ndaj disa prej armëve të prodhimit sovjetik. Armët perëndimore mund të përdoren në luftë. Para së gjithash, arsenalet e NATO-s dhe rezervat e armëve të vjetra sovjetike në disa shtete evropiane tashmë janë varfëruar në masë të madhe“, shtoi më tej ai.

Ukraina muajin e kaluar nisi një kundërofensivë të shumëpritur pas grumbullimit të armëve perëndimore. Sipas raportimeve nga autoritetet vendase ata kanë arritur të marrin disa territore.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA