Mërkuri në burimet ujore, shkaku i vetëvrasjeve të të rinjve aborigjenë në Kanada (fotot)

21/07/2023 18:30

Ekspozimi i burimeve ujore të Grassy Narrows ndaj metalit toksik ka ndihmuar në rritjen e masave të vetëvrasjeve që kalojnë me rreth 3 herë komunitetet e tjera në vend.

Dekada të tëra ekspozimi ndaj mërkurit po shfaqen si shkaku i vetëvrasjeve të të rinjve në komunitetet aborigjene të Kanadasë, në një tjetër zbulim që shënon ndotjen katastrofike të mjedisit që është kthyer në një trashëgimi të urryer.

Studiuesit morën në konsideratë tre gjenerata të nënave dhe fëmijëve të tyre nga komuniteti aborigjen Grassy Narrows, pranë Ontario, dhe arritën në konkluzionin se ekspozimi ndaj metalit shkaktonte përqindje vetëvrasjesh tre herë më shumë se çdo komunitet tjetër.

Grassy Narrows ka qenë vend-hedhjeje i mërkurit për gati një dekadë pas vitit 1963, ku një kompani letre ka lëshuar më shumë se 9 ton mërkur në sistemet e lumenjve Wabigoon e English, ku shpejt peshqit u bënë të pakonsumueshëm.

Helmi ka ndotur më shumë se 150 milje rrugë ujore. Vetëm një gram mërkur raportohet se bën të pakonsumueshëm të gjithë peshqit një rreze prej disa hektarësh, teksa në Grassy Narrows sasia e lëshuar ishte gjigante.

Para nisjes së lëshimit të mërkurit, Grassy Narrows nuk raportonte për vetëvrasje, ndërsa më pas nënat thonë se më shumë se 40% e adoleshentëve të komunitetit kanë tentuar vetëvrasjen.

Studiuesit publikuan zbulimet e tyre në rrjetin ‘Environmental Health Perspective’ ku ishin intervistuar 80 nëna e 162 fëmijë të moshave nga shtatë deri në 17 vjeç. Ata dyshonin se konsumi i peshkut të kontaminuar me mërkur kishte shkaktuar çrregulime në sistemin nervor dhe trazira psikologjike.

“Është një lumë efektesh,” tha Donna Mergler, drejtuese e studimit.

“Kemi zbuluar se ekspozimi ndaj mërkurit i nënës në fëmijërinë e saj lidhet me trazirat e sotme të sistemit nervor te fëmija, si dhe me stresin psikologjik”.

Mergler dhe studiuesit e tjerë kishin gjetur gjurmë të helmimit të korda e kërthizës së lindjes, çka vërtetonte ekspozim edhe të prindërve të tyre.

“Nëse ka peshk me mërkur kur je shtatzënë, helmi transportohet te placenta dhe kjo prek zhvillimin e fetusit”, tha Mergler.

Për rezidentët kriza është e qartë pasi disa ditë para publikimit të studimit një i ri i komunitetit kreu vetëvrasje.

Prej vitesh Grassy Narrows u kërkon autoriteteve provinciale e federale pastrimin e ujërave të tyre. Në vitin 2021, qeveria federale caktoi një fond për nisjen e projektit, i cili ka hasur pengesa e vonesa të shumta.

FOTO GALERI
2/5
Vetëm një gram mërkur raportohet se bën të pakonsumueshëm të gjithë peshqit një rreze prej disa hektarësh

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA