Suella Braverman sekretare shteti për çështjet e brendshme në qeverinë angleze, ka zhvilluar një bisedë telefonike duke uruar për marrjen e detyrës, ministrin e ri shqiptarë të punëve të brendshme Taulant Balla.
“E kënaqur të bisedoja me ministrin e ri të punëve të brendshme të Shqipërisë Taulant Balla. Ne u dakordësuam për punuar në intensifikimin e marrëdhënieve e për të arritur qëllimet e përbashkëta, në përballjen me emigracionin ilegal, korrupsion dhe krimin e organizuar” shkruante ministria Braverman ne Twitter.
Një burim diplomatik në dijeni të asaj çfarë është biseduar tha për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, se ministria Braverman ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm mes dy ministrive dhe shtimin e këtij bashkëpunimi përmes “Task forcës së përbashkët për çështjet e emigracionit të jashtëligjshëm”.
Ministri Taulant Balla ka kërkuar shtimin e të dhënave nga pala britanike për autoritet ligj-zbatuese shqiptare si për personat që mbërrijnë ilegalisht por edhe për ata që janë përfshirë në krime.
Gjatë kësaj bisede telefonike është evidentuar se falë bashkëpunimit të deritanishëm mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë gjatë periudhës Janar-Korrik 2023 është shënuar një rënie me 88.2% e numrit të shqiptarëve mbërritur me gomone në Angli, krahasuar me vitin e shkuar.
Ministri Taulant Balla ka përshëndetur vendimin e qeverisë angleze për ta klasifikuar Shqipërinë, krahas shumë vendeve të tjera një vend i sigurt.
Në bisedën telefonike kërkuar nga sekretarja britanike Suella Braverman, është folur edhe për numrin gjithnjë në rritje të shqiptarëve të cilët kanë kërkuar kthimin vullnetar nga Anglia në Shqipëri.
Të dhënat e ambasadës shqiptare në Londër tregojnë se 1.100 shqiptarë gjatë periudhës Shtator 2022 – Mars 2023, aplikuan për kthim vullnetar.
Megjithatë ministri Taulant Balla, i ka kërkuar homologes britanike dhënien e një vëmendje të posaçme, ri-integrimit për personave kthyer vullnetarisht apo atyre të dëbuar nga Anglia çdo javë me avionë të posaçëm charter.
Suella Braverman ka konfirmuar në këtë bisedë telefonike pjesëmarrjen e Britanisë të Madhe në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë në Tetor.
Top Channel