Jo vetëm Kovacic, Guardiola i mahnitur nga mesfushori italian

21/07/2023 10:59

Manchester City synon që ashtu si në sezonin e fundit, edhe në atë të riun të fitoj në çdo kompeticion ku merr pjesë.

“The Citizens” kanë nisur punën për të përforcuar organikën dhe deri më tani makinerisë së Pep Guardiolës i është bashkuar Mateo Kovacic nga Chelsea ndërsa është në detajet e fundit edhe operacioni për mbrojtësin Josko Gvardiol nga Leipzig.

Megjithatë, anglezët nuk ndalen me kaq dhe kërkojnë më tepër garanci në mesfushë. Bernardo Silva ende nuk e ka ndarë mendjen nëse do të qëndroj në “Etihad Stadium” me Barcelonën dhe Paris Saint-Germain që luftojnë në distancë për portugezin. Duke njohur dinamikën e merkatos, trajneri Pep Guardiola kërkon të mos mbetet i surprizuar dhe pretendon të jetë një hap para tjerëve.

Kështu, i bindur se mund të humbasë Silvën, spanjolli ka “urdhëruar” drejtuesit të studiojnë një lëvizje për Nicolo Barellën e Inter. Mesfushori është një nga liderët e zikaltërve së bashku me Lautaro Martinez, por zikaltërit nuk do të mund të refuzonin milionat e sheikëve të Cityt.

Guardiola është mahnitur nga italiani, sidomos në finalen e Champions League dhe në Angli janë gati të bëjnë çmenduri për 26-vjeçarin edhe pse ai nuk ka të njëjtat karakteristika me Bernardo Silvën. Megjithatë, Guardiola është i bindur se mund ta përshtasë Barellën në një modul të ri dhe ta përfshijë në 11-tëshen titullare të Kampionëve anglezë.

Kujtojmë se nuk është hera e parë që emri i Barellës lakohet në Premier League pasi edhe Liverpool ka shprehur hapur interesin për lojtarin e Inter.

Por, këtë herë gjithçka është më konkrete se kurrë dhe te Inter duhet të “kryqëzojnë gishtat” që Bernardo Silva të mos largohet nga City, pasi përndryshe anglezët do të hidhen menjëherë në sulm për Barellën dhe për zikaltërit do të ishte e vështirë të rezistonin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA