Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin është duke tentuar të blejë kohë derisa të marrë vendim se çfarë të bëjë me Yevgeny Prigozhinin.
Prigozhin është udhëheqës i grupit mercenar rus Wagner, i cili e nisur një rebelim dyditor në Rusi muajin e kaluar.
Shefi i CIA-s, Wiliam Burns, ka thënë se rebelimi e ka vënë në pah dobësinë e pushtetit që e ka ndërtuar Putini.
Ai ka thënë në Forumin e Aspenit për Siguri se, lideri rus mund të jetë ende duke kërkuar hakmarrje kundër Prigozhinit.
“Çfarë po shohim ne tani është një lojë shumë e komplikuar” ka thënë shefi i CIA-s të enjten.
Kur është pyetur për videon e fundit, në të cilën Prigozhini shihet në Bjellorusi, shefi i CIA-s ka thënë se udhëheqësi i Wagnerit ka qenë së fundi edhe në Minsk, por edhe në Rusi.
Ai ka thënë Wagneri është ende i rëndësishëm për udhëheqësinë e Rusisë në Afrikë, Libi dhe Siri, prandaj ka mundësi që Putini po synon ta ndajë grupin nga lideri.
“Putini është person që në përgjithësi mendon se hakmarrja është pjatë që më së miri shërbehet e ftohtë. Sipas përvojës sime, Putini nuk lë gjë pa shpaguar, andaj do të befasohesha nëse Prigozhini i ik ndëshkimit të mëtejmë”.
Ai i ka konfirmuar raportimet e mëtejme se CIA ka pasur informacione për rebelimin, edhe para se të ndodhte ai.
Më herët gjatë këtij muaji, presidenti amerikan, Joe Biden, ka sugjeruar se ekziston rrezik që Prigozhini mund të helmohet.
“Nëse do të isha në vendin e tij, do të kisha pasur kujdes se çfarë ha. Do ta mbaja një sy te menyja”, ka thënë Biden.
Rebelimi i Wagnerit ka qenë sulmi më direkt ndaj Putinit në 23 vjetët e tij në pushtet.
Kjo pasi Prigozhin mëton se arsyetimi i Putinit për nisje të luftës në Ukrainë është i ndërtuar në gënjeshtra.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Top Channel