Vllaznia para misionit përmbysje. Këtë të enjte kuqeblutë zbresin në fushë për sfidën e kthimit në raundin e parë të Conference League përballë Linfield, të karikuar për të kthyer rezultatin 3-1 të sfidës së parë.
Në Irlandën e Veriut, gjërat nuk shkuan siç duhet megjithatë ai gol i Juric në fund mban gjallë shpresat e kuqebluve që një arsye më shumë për të besuar e gjejnë te kujtimet e freskëta të një viti më parë.
Situata ishte identike, me Siroki Brijeg që kishte fituar 3-1 në Bosnje por në Loro Boriçi suksesi 3-0 i kuqebluve kualifikoi formacionin shkodran në raundin e dytë.
Trajneri Migen Memelli ka marrë shënimet e duhura nga humbja në Belfast, gjatë gjithë javës ka studiuar planin e përmbysjes me teknikun që mund të bëjë ndryshime në formacion dhe skemë.
Për sa i përket elementëve bëhet fjalë për rotacion racional, me 1 apo 2 ndryshime në 11-shen titullare, ndërkohë që skema mund të ndryshojë në 4-3-3. Gjithçka në funksion të një fitoreje që në Shkodër e presin si ujin e pakët, në këto ditë të nxehta vere.
Publiku në Loro Borici pritet të jetë padyshim një armë më shumë për ti dhënë krahë me mbështetjen e tij skuadrës në fushën e blertë, me impiantin shkodran ku tifozët pritet të jenë të shumtë, ndërkohë që për të gjithë ata që s’mund të jenë aty, emocionet e sfidës vijnë drejtpërsëdrejti me transmetimin në Supersport 2, duke nisur nga ora 20.45.
Një sfidë e tëra për të mos u humbur, me shpresën që Vllaznia të dhurojë një nga ato mbrëmje të denja për të mbetur gjatë në kujtesë.
Top Channel