Janë identifikuar tre vrasësit e Besmir Hidës në 2019, i cili u ekzekutua me kallashnikov në Lushnjë, teksa po pinte kafe në një lokal.
Dy persona me maska ngjitën shkallët duke e qëlluar nga dy drejtime të ndryshme viktimën 40 vjeç që po pinte kafe në lokalin mbi supermarketin që kishte në pronësi.
Si rezultat i provave të siguruara nga hetimi intensiv, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datës 16 korrik 2023, ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për autorët e kësaj ngjarjeje, shtetasit:
Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë, aktualisht i arrestuar në Greqi. Ky shtetas u arrestua në Janinë, në maj të këtij viti, gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Policisë greke. Pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.
Orgest Bilbili, 33 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë, aktualisht ndodhet në IEVP Drenovë, Korçë. Ky shtetas është dënuar me burgim të përjetshëm, në lidhje me një ngjarje të gjykuar më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ditën e djeshme, atij i është komunikuar masa e sigurisë, për vrasjen e ndodhur në vitin 2019.
Ardian Ahmetaj, 49 vjeç, aktualisht ndodhet në burg, në Greqi, pasi është arrestuar në vitin 2020, gjatë një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe Policisë greke. Ky shtetas është dënuar në vitin 2021, me 11 vjet burgim, nga Gjykata e Athinës, për armëmbajtje pa leje në rrethana rënduese, sipas Kodit Penal të shtetit grek.
Top Channel