SHBA ndërpret fondet për laboratorin kinez në qendër të debateve për origjinën e COVID-19

20/07/2023 09:30

Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar fondet federale për Institutin e Virologjisë në Wuhan të Kinës (WIV) pasi nuk ka paraqitur dokumentacionin në lidhje me shqetësimet mbi shkeljet e protokollit të biosigurisë, në këtë objekt që është përballur me pikëpyetje për vite me radhë mbi origjinën e pandemisë COVID-19.

Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) tha gjithashtu se synon të ndalojë institucionin kërkimor kinez të marrë pjesë më tej në programet e prokurimit dhe jo-prokurimit qeveritar.

Instituti i Wuhan-it nuk ka marrë fonde federale nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë (NIH), që nga korriku 2020, sipas një deklarate të Departamentit Amerikan të Shëndetësisë të mërkurën.

Kjo masë u ndërmor të hënën pasi ky departament arriti në përfundimin se instituti kinez “nuk është në përputhje me rregulloret federale dhe nuk është aktualisht i përgjegjshëm”, sipas një dokumenti të kësaj agjencie.

Instituti nuk ka arritur të kontaktohet ende.

Origjina e pandemisë së koronavirusit ka qenë një çështje debati të ashpër në të gjithë botën që kur u shfaqën rastet e para në Wuhan në fund të vitit 2019.

Në qershor 2023, agjencitë e zbulimit amerikan nuk gjetën prova të drejtpërdrejta se pandemia COVID-19 buronte nga një incident në laboratorin e Wuhan-it.

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray tha në shkurt se agjencia e tij kishte vlerësuar prej disa kohësh se pandemia me shumë gjasa e kishte origjinën “tek një incident i mundshëm laboratorik” në qytetin kinez të Wuhan-it. Kina tha se ky pretendim nuk ishte “aspak i besueshëm”. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA