Gjeorgjianët ndalojnë futbollistin e Tiranës Florent Hasanin, probleme në kufi prej pasaportës kosovare

20/07/2023 12:23

Me të mbërritur në Batumi të Gjeorgjisë, problemi i autoriteteve vendase me sa duket ishte sulmuesi i Tiranës Florent Hasani, por jo më shumë për rrezikshmërinë e tij në fushë mbrëmjen e sotme përballë Dinamos së Batumit se sa për pasaportën e Kosovës që ai posedon.

Gjeorgjia është ndër vendet që nuk e njeh shtetin e Kosovës e si rrjedhojë nuk njeh as dokumentet e udhëtimit të këtij vendi. Më një intervistë për Top Channel Florent Hasani tregon.

“E kam ditur që në momentin që është hedhur shorti që do jetë problem kur të luaja me Batumin, por faleminderit klubit që ka punuar në të gjitha drejtimet që ma mundësoi të hyja në Gjeorgji në bashkëpunim me UEFA-n dhe klubin e Batumit. Një herë në fillim ka qenë që nuk kam të drejtë që të vij dhe që të hyj brenda, por pastaj, kanë gjetur një zgjidhje kur erdhëm këtu, pritëm nja gjysmë ore derisa erdhi ajo thirrja nga shteti i Gjeorgjisë dhe nga klubi që ta lënë këtë lojtar që të hyjë brenda”, shprehet Hasani.

Po si ndihet një qytetar i Kosovës përpara kësaj situate, aq më tepër një sportist?

“Më vjen keq sepse nuk është vetëm Gjeorgjia, ka shumë shtete që nuk e njohin Kosovën. Unë mendoj që politika nuk ka të bëjë asgjë me sportin. Sporti duhet të jetë në një drejtim dhe sporti në një drejtim tjetër. Normalisht që më vjen keq, por e mira e kësaj është që u rregullua për disa minuta dhe shpresoj që tani të jemi të gatshëm për ndeshjen”, është shprehur Florent Hasani.

Pavarësisht ndihmës së të dy klubeve dhe UEFA-s, për këtë incident uron që të ketë një përgjigje në fushë, gjatë ndeshjes.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA