Erdogan kërkon heqjen e sanksioneve ndërkombëtare ‘të padrejta’ ndaj Qipros Veriore (fotot)

20/07/2023 17:12

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përsëriti sot mbështetjen e tij ndaj marrëveshjes me dy shtete të barabarta që jetojnë krah për krah njëri-tjetrit në ishullin e Qipros.

Ai nxiti gjithashtu heqjne e kufizimeve politike që janë vendosur padrejtësisht ndaj Republikës Turke të Veriut të Qipros.

Duke cituar arkitektin e ndjerë të planit Annan të vitit 2004 që u pranua nga turqit qipriotë por u refuzua nga greko-qipriotët, Erdogan tha:

“Ftoj komunitetin ndërkombëtar t’i bëjnë thirrje OKB, ish-sekretari i të cilës Kofi Annan ka pranuar se nuk ka asnjë rezolutë për të justifikuar izolimin e turqve në veriun e Qipros, të heqin këto kufizime politike që nuk kanë bazë ligjore”.

Gjatë vizitës së tij për inaugurimin e zgjerimit të aeroportit Ercan në veri të Qipros, Erdogan përsëriti zgjidhjen me dy shtete, duke refuzuar argumentet e dominimit kulturor apo të konflikteve në ishull, shkruan agjencia shtetërore turke Anadolu.

“Ditët kur terminali i ri i aeroportit Ercan do të jetë plot me fluturime ndërkombëtare, nuk janë larg”, tha presidenti turk.

“Terminali i ri është gjashtë herë më i madh se i pari dhe mund të shërbejë 10 milionë pasagjerë. Liria e udhëtimit është e drejtë bazë”, shtoi ai.

Teksa aktualisht fluturimet shkojnë vetëm drejt Turqisë, presidenti vendas Ersin Tatar tha: “Komuniteti ndërkombëtar vazhdon këtë padrejtësi ndaj nesh, edhe pse një aeroport i tillë nuk gjendet as në jug të ishullit”.

“Ky izolim dhe embargo duhet të marrë fund”, shtoi Tatar.

Aeroporti Ercan ka një kapacitet aktual prej 4 milionë pasagjerë dhe mund të dyfishohet me terminalin e ri, duke gjeneruar deri në €30 milionë në vit, thanë autoritetet në ceremoni.

FOTO GALERI
1/3
Tajip Erdogan përsëriti sot mbështetjen e tij ndaj marrëveshjes me dy shtete të barabarta që jetojnë krah për krah njëri-tjetrit në ishullin e Qipros.

Top Channel