“AZHBR ishte kënetë e qelbur”/ Frida Krifca i përgjigjet akuzave të opozitës: Nuk ka asnjë cent të djegur

20/07/2023 16:16

Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca, i është përgjigjur akuzave të opozitës në lidhje me fondet e dhëna nga Bashkimi Evropian për bujqësinë në Shqipëri gjatë viteve 2014-2020, të cilat kanë shkaktuar tension dhe përplasje mes qeverisë dhe opozitës.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Krifca u shpreh se të gjitha fondet janë përdorur për përmirësimin dhe rritjen e kapaciteteve të mekanizmave bujqësore.

Ajo u shpreh se në kohën kur ajo mori detyrën në 2017, AZHBR ishte një kënetë e qelbur dhe me fondet janë bërë shumë investime për rritjen e nivelit të institucionit.

“Që të zhdoganoheshin traktorët dhe mekanizmat bujqësore, në fakt ja kemi dalë bashkarisht sepse në këtë moment asnjë fond nuk është djegur sepse i kemi qëndruar krah për krah fermerëve. Kemi punuar ditë e natë për të siguruar përthithjen në funksion të ekonomisë bujqësore. Ja kemi dalë dhe kjo ju çmend. Në fakt ja kemi dalë deri më sot i gjithë fondi është vënë në funksion të Shqipërisë, nuk ka asnjë cent të djegur, për shkak të dembelizmit tuaj fondet nuk i jepeshin fermerëve, në korrik të 2017 kur kam marrë detyrën AZHBR ishte një kënetë e qelbur, është gjetur një agjensi që në kohën e PD-së konsiderohej si harem, është bërë një punë e jashtëzakonshme për të marrë besimin e fermerëve. Realizuam dy qëllime fuqizimin e prodhuesve dhe përpunuesve dhe të ,errnin të gjithë informacionin e mjaftueshëm që të rritnin kapacitetet. E kemi rritur nivelin e institucionit.”– tha Krifca.

Argumentave të ministres Krifca, i doli në mbrojtje edhe deputeti Erion Braçe, i cili tha se nuk bie dakord në shumë parime me ministren, megjithatë sipas tij ajo nuk ka lëshuar asnjë metër katror kot.

Braçe u shpreh se puna e KLSH-së ka qenë voluminoze dhe se meriton vlerësimin e Kuvendit të Shqipërisë.

“Kursimi për vitin që shkoi është 112 milion euro. Dëmi ekonomik i deklaruar nga KLSH është 423 milion  lekë. As 180 mln dollarë, as më shumë se sa aq. Unë dhe Ministrja e Bujqësisë nuk biem dakord për shumë gjëra, por kjo ministre nuk ka dhënë asnjë metër katror kot. Nuk jemi thirrur këtu për të folur për korrupsionin gjatë vitit që shkoi. Puna e KLSH ka qenë voluminoze, konkrete dhe serioze. E thënë të gjitha këto, meriton edhe vlerësimin e Kuvendit të Shqipërisë. Thënë këto, as si shmangem, as i iki të folurën për korrupsionin edhe pse është një moment i vështirë, politikisht dhe penal. A ka korrupsion në këtë vend, po, ka korrupsion për të bërë para të paligjshme, në sektorin publik dhe privat. Ka përpjekje politike për të ndikuar fort. A është korrupsioni sot më i madh sesa 10 vite më parë, këtu mendimet ndahen. 10 vite më parë vidhej lekë edhe më një certifikatë, po vidhej edhe me rrezik të lartë kur demontoheshin predhat”- tha Braçe.

Lidhur me abuzimin e fondeve të IPARD, Jorida Tabaku ka vijuar me akuzat, ku është shprehur se kjo ngjarje është një damkë mbi institucionin e AZHBR-së dhe se qeveria duhet të ofrojë transparencë për të treguar se si është krijuar skema piramidale.

Sipas Tabakut, është cënuar rëndë imazhi i shtetit shqiptar dhe i çdo punonjësi që ka qenë i përfshirë në këtë proces.

“Në seancën e fundit të dhjetorit kam ngritur shqetësimin për përdorimin dhe thithjen e fondeve të IPARD-it nga Ministria e Bujqësisë, ku pata një debat me ministren. Strukturat e qeverisë shqiptare kanë nisur një proces akreditimi që në vitin 2010. Ishin gati në vitin 2013, por vetëm në vitin 2018 u certifikuan për të bërë këtë pagesë dhe për të vazhduar të pavarur.

Ajo çfarë ka ndodhur dje, është një damkë turpi mbi institucionin e AZHBR-së që nuk e heq asgjë dhe ka cënuar rëndë imazhin. Nuk e di sesa është pagesa për të cilën qeveria shqiptare po akuzohet, por do të ishte në nderin e ministres dhe të qeverisë që të ofronin transparencë se si është krijuar skema piramidale me disa kompani të përfshira me një hetim që ka 4 vite që ecën përpara dhe të paktën 2 vite që mblidhen prova dhe qeveria shqiptare nuk paska pasur asnjë informacion.

Është cënuar imazhi i shtetit shqiptar, i çdo punonjësi që ka qënë i përfshirë në këtë proces. Relativizimi dhe fakti që thuhet që paska ndodhur dhe në Francë, nuk ndihmon askënd. Qytetarët shqiptar presin informacion se çfarë ka ndodhur me fondet e AZHBR-së, sesi është lejuar skema piramidale me dijeni të plotë dhe pse ka munguar transparenca.

Durimi thonë e ka shpërblimin e mirë! Unë prita 6 vite që ish zv. Kryeministri, i cili ka paguar media, njerëz për të sulmuar këdo që denonconte këtë çështje, të ishte përpara drejtësisë. Shpresoj shumë, që me durim, dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës të shkoj përpara drejtësisë ashtu siç e meriton! Më vjen mirë që sot ata që atëherë e sulmuan Komisionin Hetimor të inceneratorëve, sot lexon gjetjet e tij! Kushdo që nuk e votoi, sot i del për zot atyre gjetjeve që janë dhe baza e akuzave të SPAK-ut!”-tha Tabaku.

Ministria e Bujqësisë ka hedhur poshtë hipotezat e heqjes së fondeve nga BE-ja, duke sqaruar se IPARD-i, programi për mbështetjen e fermerëve dhe agropërpunuesve nga shteti nuk është ndërprerë, ndërsa theksoi se po verifikohen disa shpenzime të dyshuara jo konform rregullave.

Në një reagim zyrtar, Ministria e Bujqësisë pranon se kanë nisur hetimet, por i konsideron si procedurë normale, ndërsa kërkon që kjo çështje të mos përdoret politikisht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA