Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të takohet sot me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç në Bruksel.

Më 12 korrik, Vuçiç e ka bërë të ditur se i ka dërguar NATO-s letër zyrtare me kërkesë që ta takojë shefin e këtij institucioni. Temë e bisedimeve besohet se do të jetë situata në Kosovë.

Takimi mes tyre vjen në të njëjtën ditë kur zhvillohen bisedimet në Bruksel mes të kryenegociatorëve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviçit.

Më 11 korrik, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se është pajtuar me Kosovën në marrjen e disa hapave për uljen e tensioneve në veri.

Sipas marrëveshjes – të arritur mes Lajçakut dhe Bislimit më 10 korrik në Bratisllavë – Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

Si Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Top Channel