Nëse Putin largohet nga toka ruse, ai është subjekt i arrestimit, për shkak të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Afrika e Jugut është pjesëtare e gjykatës dhe i kërkohet të ndihmojë në arrestim të Putinit.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do ta përfaqësojë shtetin e tij në samitin dyditor, ka thënë zëdhënësi i presidentit të Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.
Vendimi për ta ftuar Putinin – i cili kërkohet për krime lufte në Ukrainë – në Afrikën e Jugut, ka nxitur diskutime të ashpra.
Partia më e madhe opozitare në Afrikën e Jugut, Aleanca Demokratike, ka kërkuar nga gjykata që t’i detyrojë autoritetet që ta arrestojnë Putinin nëse ai shkel në territorin e shtetit.
Dokumentet në gjykatë tregojnë se presidenti Ramaphosa ka qenë shumë kundër, duke thënë se përmes një veprimi të tillë kërcënohet siguria kombëtare.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov e ka mohuar që Moska i ka thënë Afrikës së Jugut që arrestimi i presidentit të saj nënkupton akt lufte, mirëpo është e qartë për të gjithë, “çfarë do të thotë një shkelje e tillë kundër presidentit të shtetit rus”.
Rusia e ka përshkruar vazhdimisht fletarrestimin si vendim ligjërisht të pavlefshëm, sepse shteti nuk është anëtar i gjykatës.
Samiti i shteteve Briks – akronim për Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut – në gusht, shihet nga disa si alternativë ndaj samitit të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara në botë – G7.