Partizani shpërdoron pa fund, Bate Borisov dy gola me vetëm dy raste

18/07/2023 22:21

Bate Borisov – Partizani 2-0 (Malkevich 71′, Shestyuk 90+12′)

Mes dominimit, zotërimit të topit dhe shumë rasteve të shpërdoruara, Partizani gjen epilogun e rrugëtimit në Champions League përballë BATE Borisov.

Bjellorusët që konsideroheshin si një kundërshtar i kalueshëm surprizuan të kuqtë me triumfin 2-0, duke i ndëshkuar me dy rastet e vetme të rrezikshme të krijuara në pjesën e dytë dhe duke siguruar kështu kalimin në turin e dytë të Ligës së Kampionëve.

Partizani e nisi me shumë iniciative pjesën e parë dhe rastin e parë të rrezikshëm e prodhoi që në minutën e 12′, kur Christian Mbaa goditi bukur me kokë, por portieri i Bates e devijoi topin në mënyrë shpëtimtare në këndore.

Vetëm një minutë më pas, pas krosit nga goditja këndore, Mba goditi sërish, por sërish i pafat, teksa goditja shkoi jashtë. Në minutën e 31′, tentoi Valentino Murataj nga një kënd shumë i vështirë, por përsëri Kudravets reagoi mjaft mirë.

Demat e Kuq ishin përsëri mjaft kërkues edhe në të dytën teksa në të 52′, Murataj shpërdoroi një mundësi të pafalshme brenda zonës. Partizani vijoi të mbetej në portën e Bates dhe efikasitetin dhe pragmatizmin që nuk e treguan të besuarit e Zoran Zekic, e shfaqën lojtarët e BATE Borisov, që shfrytëzuan në maksimum rastin e tyre të parë të rrezikshëm.

Zbritje e shpejtë e Bates dhe pas krosimit nga e majta, Malkevic ishte në vendin e duhur dhe në momentin e duhur për të shënuar me kokë. Pas pësimit të këtij goli, Partizani mori një goditje psikologjike dhe e pati të vështirë të reagonte, duke shfaqur shenja nxitimi dhe nervozizmi para portës.

Në fund, u akorduan 10 minuta shtesë dhe të kuqtë i shkuan shumë pranë barazimit me Sotën në minutën e dytë të shtesës. Gjithsesi, fati i buzëqeshi përsëri bjellorusëve në minutën e fundit të shtesë që realizuan me Shestyuk, duke i dhënë goditjen finale Partizanit.

Të kuqtë e mbyllin me dëshpërim të thellë rrugëtimin në Champions League dhe tanimë do ta vijojnë rrugëtimin në Europë, në Ligën e Konferencës ku do të luajnë ndaj skuadrës nga Andorra të Inter D’Escaldes.

90+12′ – Kapet gafil në kundërsulm Partizani, Shestiyk mbyll ndeshjen, 2-0

90+8′ – Sembene bën roli e mbrojtësit mbi vijën fatale të Bates, tjetër rast i pastër i humbu nga Partizani.

72′ – Da Silva nxjerr të lirë Hadrojin, por vetëm rrjetë e jashtme.

71′ – E pabesueshme si ndëshkohet Partizanit. Në rastin e parë që Bate i afrohet zonës së të kuqve në pjesën e dytë, shënon Malkevich, 1-0.

52′ – Aksion model i Partizanit, portieri i mohon golin Murataj.

46′ – Sapo nis pjesa e dytë, mbrojtja e Bates i dhuro një top Da Silvas që nuk përfiton, këndore për Partizanin.
31′ – Tenton të befasojë portierin kundërshtar Murataj nga një kënd thuajse zero, këndore për të kuqtë.

12′ – 13′ – Partizani, i papërmbajtshëm në minutat e para, e mbyll Baten në portën e saj. Christian Mba ka mundësi në disa raste të shënojë, por është i pafat.

Trajneri i Partizanit, Zora Zekic, zgjedh të njëjtin formacion si në takimin e parë në përballjen e kthimit me Bate Borisovin, që zhvillohet në “Városi Stadion”, në Mezőkövesdi të Hungarisë, pa praninë e tifozëve.

Paraqitja e mirë në “Air Albania” duket se e ka bindur trajnerin kroat t’u besojë të njëjtëve futbollistë nga minuta e parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA