Cristiano Ronaldo është i bindur se ka bërë zgjedhjen e duhur duke u transferuar në Arabinë Saudite tek skuadra e Al-Nassr.
Portugezi la kampionatin anglez në merkaton e janarit duke mbyllur historinë e tij me Manchester United, por edhe me futbollin në Europë pasi së fundmi, CR7 thekson se nuk do të rikthehet më në Kontinentin e Vjetër.
Pas ndeshjes miqësore që Al-Nassr zhvilloi me Celta Vigon, 38-vjeçari u shpreh se nuk do të luaj sërish në Europë ndërsa nuk ngurroi të theksonte se futbolli në Europë ka humbur cilësitë e dikurshme ndërsa veçoi vetëm Premier League si kampionatin që ja vlen të luash.
“Kur u bashkova me Juventusin, Serie A ishte e “vdekur”. Por, pasi unë firmosa pati një ringjallje. Kudo që shkon Cristiano Ronaldo interesi rritet dhe kjo është e dukshme. Më kanë kritikuar për transferimin në Arabinë Saudite, po tani që të gjithë po vijnë këtu? Unë hapa rrugën dhe të gjithë futbollistët nuk e nënvlerësojnë më një ofertë nga Arabia.
Nuk do të kthehem më në Europë, aty futbolli ka humbur shumë kualitet. Mund të veçoj vetëm Premier League, janë shumë përpara të tjerëve. E theksoj se me 100% nuk kthehem në Europë, të gjitha dyert janë të mbyllura. Unë nisa një epokë të re për Ligën Arabe dhe shumë lojtarë po vijnë këtu”, tha Ronaldo.
Sakaq, nuk mungoi edhe një “thumbim” i luzitanit për Lionel Messin dhe zgjedhjen e argjentinasit për të luajtur në Amerikë me Inter Miamin. Ronaldo u shpreh i bindur se Liga Arabe është shumë më e mirë dhe e fortë se MLS-ja në Amerikë. Kujtojmë se Lionel Messi e refuzoi ftesën e arabëve dhe saktësisht klubit të Al-Hilal duke zgjedhur Amerikën dhe klubin e David Beckham. /Supersport
Top Channel