Koreja e Veriut ndalon një amerikan që kaloi kufirin nga zona e çmilitarizuar

18/07/2023 16:23

Një amerikan ka kaluar kufirin e fortifikuar rëndë mes Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut, tha të martën Komanda e OKB-së, e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara që mbikëqyr zonën.

Incidenti ndodh në një kohë kur tensionet mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut janë intensifikuar. Komanda e OKB-së njoftoi në Twitter se qytetari amerikan po bënte një vizitë turistike në fshatin kufitar Panmunjom dhe kaloi kufirin për në Veri pa autorizim.

Në njoftim thuhet më tej se ai po mbahet aktualisht në paraburgim në Korenë e Veriut dhe se Komanda e OKB-së po punon me homologët koreano-veriorë për t’i dhënë zgjidhje incidentit. Komanda nuk dha detaje të mëtejshme se cili është personi, apo pse e kaloi kufirin, por disa media amerikane po njoftojnë se ai është ushtar amerikan.

Media shtetërore e Koresë së Veriut nuk ka njoftuar për incidentin kufitar.

Fshati Panmunxhom, i vendosur brenda zonës së çmilitarizuar prej 248 kilometrash, mbikëqyret bashkërisht nga Komanda e OKB-së dhe Koreja e Veriut, që nga krijimi i kësaj zone në fund të Luftës Koreane.

Aty ka pasur herë pas here incidente me armë, por zona ka qenë gjithashtu një vend ku shpesh janë mbajtur bisedime, si dhe është një pikë e njohur turistike.

Fshati Panmunxhom ka tërhequr vizitorë nga të dyja anët, të cilët duan të shohin kufirin e fundit të mbetur që nga Lufta e Ftohtë. Në këtë fshat nuk jetojnë civilë./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA