Tërheqja e Rusisë nga marrëveshja që i mundësonte Ukrainës transportimin e drithërave përmes Detit të Zi, është “thikë pas shpine” për shtetet që po përballen me thatësi, ka thënë Qeveria e Kenias.
Ky shtet është në një rajon që po përballet me një prej thatësirave më të këqija në dekada.
Moska ka thënë të hënën se nuk do ta vazhdojë marrëveshjen, duke e akuzuar Perëndimin se nuk është duke vepruar në përputhje me paktin.
Bllokada ruse në portet ukrainase vitin e kaluar, i ka rrezikuar furnizimet globale me ushqime në disa pjesë të Afrikës.
Çmimet e drithërave janë rritur, mirëpo marrëveshja e ndërmjetësuar në korrik të vitit 2022 nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, ia ka mundësuar Ukrainës që t’i rinisë furnizimet në botë.
Vendimi i Rusisë është dënuar nga liderët botërorë, të cilët kanë thënë se diçka e tillë do t’i dëmtojë disa prej vendeve më të varfra në botë.
Rusia, në anën tjetër, ka thënë se do të rikthehet në marrëveshje nëse plotësohen kushtet.
“Vendimi i Rusisë për t’u larguar nga Iniciativa e Detit të Zi për Drithërat, është thikë pas shpine për sigurinë ushqimore globale dhe ndikon në mënyrë joproporcionale në rajonin e Afrikës, që veçse është prekur nga thatësia”, ka thënë Korir Sing’Oei, ministër i Jashtëm i Kenias.
Më shumë se 50 milionë njerëz në Somali, Keni, Etiopi dhe Sudanin Jugor, kanë nevojë për ndihma ushqimore, për shkak të sezonit pa shi.
Rusia ka thënë se dështimi i Ukrainës për të eksportuar më shumë drithëra në shtetet e varfra, ka qenë njëra prej arsyeve pse është larguar nga marrëveshja.
Megjithatë, OKB-ja ka thënë se Ukraina i ka dërguar 625.000 tonë me ndihma ushqimore në Afganistan, Etiopi, Keni, Somali, Sudan dhe Jemen. /REL
Top Channel