Një shtetas amerikan mund të jetë në paraburgim në Korenë e Veriut, pasi ka kaluar kufirin nga Koreja e Jugut pa miratim, gjatë një turneu, tha të martën Komanda e Kombeve të Bashkuara.
Personi po merrte pjesë në një turne në Zonën e Përbashkët të Sigurisë, në fshatin kufitar në zonën e çmilitarizuar që ndan dy Koretë, ku ushtarët nga të dyja palët qëndrojnë roje.
E përditshmja e Koresë së Jugut, Dong-a Ilbo, duke cituar ushtrinë e Koresë së Jugut, raportoi se personi ishte një ushtar i ushtrisë amerikane.
“Një shtetas amerikan në një turne orientues kaloi, pa autorizim, vijën e demarkacionit ushtarak në Republikën Popullore Demokratike të Koresë”, tha Komanda e OKB-së në Twitter.
“Ne besojmë se ai është aktualisht në paraburgim në Korenë e Veriut dhe po punojmë me homologët tanë për të zgjidhur këtë incident”, shtoi ai, duke iu referuar Ushtrisë Popullore të Koresë së Veriut.
Forcat e Koresë së Jugut dhe SHBA-së kanë kryer stërvitje ajrore dhe detare gjatë këtij viti. Në këto stërvitje kanë marrë pjesë edhe avionmbajtësit dhe bombarduesit e rëndë.
Po ashtu, muajin e kaluar në stërvitje mori pjesë edhe një nëndetëse bërthamore amerikane.
Në prill, liderët jugkoreanë dhe amerikanë u pajtuan që një nëndetëse bërthamore amerikane do të lundronte në ujërat e Koresë së Jugut për herë të parë që nga vitet ’80.
Vendosja e nëndetëses në ujërat jugkoreane është pjesë e përpjekjeve së Uashingtonit për t’iu përgjigjur më mirë kërcënimeve të Koresë së Veriut që kryer vazhdimisht testime të armëve. /REL
Top Channel