Koncerti i reperit amerikan Travis Scott pranë piramidës së Giza në Egjipt është ndaluar nga sindikata e artistëve të vendit pas një fushate të gjerë popullore online kundër lirikave e tematikave provokuese të artistit hip-hop.
Disa këngëtarë ndërkombëtarë kanë performuar në bazën e piramidave të Egjiptit pranë kryeqytetit Kairo, dhe sindikata e muzikantëve në vend rrallëherë i ka kundërshtuar ato.
Por vitet e fundit kritikat janë shtuar ndaj tematikave afro-amerikane të artistit në SHBA, që përpiqen të përcillen si gjithnjë e më të afërta me kulturën egjiptiane.
Egjipti ka thënë se kundërshton rrymën imponuese të asaj që quan “rishkrim” i historisë së tij, i nxitur gjithnjë e më shumë nga lëvizjet afro-amerikane që pretendojnë lidhje kulturore me faraonët e lashtë egjiptianë.
Sindikata e artistëve egjiptianë që kujdeset për çështjet e muzikës në vendin arab me popullatën më të madhe në botë, tha sot se koncerti i Scott “bie në kundërshtim me traditat tona”.
Sindikata shtonte se ata nuk ndërhyjnë në performancat muzikore për sa kohë ato “nuk kërcënojnë traditat dhe zakonet e lashta të popullit egjiptian”.
“Pas ekzaminimit të përmbajtjeve të qëndrimeve të artistit në rrjetet sociale dhe të informacioneve mbi ritualet e çuditshme që ai praktikon, ne besojmë se kjo shkon kundër traditave tona”, thuhej në deklaratën e sindikatës, pa specifikuar cilave rituale po i referohej.
Para vendimit, ankimuesit në rrjetet sociale citonin “afro-centrizmin e Scott”, që thekson rolin e afrikanëve me ngjyrë në formëzimin e njerëzimit.
Mbështetësit e lëvizjes argumentojnë se roli i afrikanëve me ngjyrë është reduktuar në histori “prej paragjykimeve të traditave akademike të Evropës”.
Anullimi i koncertit të Scott vjen pak pas reagimit të zemëruar të Egjiptit ndaj filmit dokumentar të rrjetit Netflix për mbretëreshën Kleopatra dhe portretizimin e saj nga një aktore afro-amerikane, çka u konsiderua si fshirje e prezencës së të bardhëve në Egjiptin e lashtë.
Më herët Egjipti ka anuluar një performancë të komedianit Kevin Hart që po ashtu tentonte të largonte arabët nga e kaluara e tyre e lashtë duke pretenduar se mbretërit e Egjiptit të lashtë kanë qenë zezakë.
Hart nuk komentoi mbi cështjen dhe organizatorët thanë se shfaqja u anulua për probleme teknike, por në Egjipt u celebrua si fitore e lëvizjes së bojkotit ndaj përvetësimit të kulturës nga lëvizjet liberale të SHBA.
Top Channel