“Do nxjerrë skuadrën në dritë”/ Arteta elozhe për Rice, paralajmëron të tjera goditje në merkato

18/07/2023 10:48

Arsenal është padyshim një nga klubet më aktive në merkato të verës teksa deri më tani “topçinjtë” kanë shpenzuar më shumë se 200 milionë paund për të transferuar emra si Declan Rice, Kai Havertz dhe Jurrien Timber.

Sigurisht, më i bujshmi ishte transferimi i mesfushorit të kombëtares së Anglisë nga West Ham për shifrën e 105 milionë paundëve, rekord për futbollin britanik. Në lidhje me transferimin e 24-vjeçarit, trajneri Mikel Arteta shpjegoi arsyen pse këmbëngulën aq shumë për shërbimet e Rice ndërsa shtoi se mesfushori do të “nxjerrë në dritë” skuadrën.

“Pse e transferuam Rice? Sepse është një lider dhe energjia e tij pozitive përçohet tek e gjithë skuadra. Ai ka shumë eksperiencë në Premier League dhe unë e di fare mirë se do ta dërgojë skuadrën tonë në një dimension tjetër. Rice është shumë i përgatitur edhe fizikisht dhe në këtë pikë kemi vuajtur pak në të kaluarën, prandaj na u desh të këmbëngulnim shumë për atë, e shoh të domosdoshëm për skuadrën.

E shoh Rice si një person që shndrrit dhe që do të nxjerrë në pah skuadrën tonë, do përmirësojë shokët e skuadrës dhe do të rrisë nivelin e të gjithë ekipit. Mënyra si flet, ambicia, janë gjëra shumë të rëndësishme për një mesfushor. Ai ka një pasion të madh për futbollin dhe kjo është ajo që na duhet”, tha Arteta.

Ndërkohë, pavarësisht faktit se kanë shpenzuar mbi 200 milionë paund, Arteta theksoi se Arsenal mund të bëjë të tjera goditje në merkato ndërsa paralajmëroi edhe largime nga ekipi.

“A do të bëjmë të tjera blerje? Pse jo, ka ende shumë kohë në këtë merkato. Ajo që mund të them me siguri është se lojtarët që kemi aktualisht në organikë kanë shumë eksperiencë dhe do të shohim si do të zhvillohen situatat në javët e ardhshme. Do të tregohemi të vëmendshëm, ka kohë. Sigurisht, ka kohë edhe për ndonjë largim të mundshshëm”, përfundoi tekniku spanjoll.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA