Taremi kthehet në “fiksim” për Milanin, “kuqezinjtë” bëjnë ofertën e parë në zyrat e Portos

17/07/2023 16:21

Milan vazhdon punën për sezonin e ri, me klubin që kërkon të ndërtojë një skuadër kompetitive dhe mbetet aktive në këtë merkato verore

Pas largimit të Tonalit drejt Newcastle, drejtuesit menduan fillimisht për të kompletuar repartin e mesfushës, me transferimin e Loftus-Cheek, ndërsa pritet edhe firma me Reijnders, por në fokus mbetet edhe mesfushori i Valencia-s, Musah.

Përpos mesfushës, “Djalli” po studion tregun edhe sa i përket sulmit, kjo për faktin se mbetet një repart shumë i brishtë, delikat dhe që kërkon një zgjidhje të shpejtë.

Mediet italiane kanë raportuar se drejtuesit, por edhe trajneri Pioli e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre dhe po flasim për sulmuesin e Porto-s, Mehdi Taremi.

Milan ka bërë edhe lëvizjen e parë konkrete, me italianët të cilët i kanë ofruar Porto-s 13 milionë euro, por portugezët kërkojnë 20 milionë për ta lënë të lirë lojtarin dhe deri më tani, 30 herë kampionët e Portugalisë nuk kanë bërë asnjë hap pas në pretendimet e tyre.

Megjithatë nga Italia është raportuar se Milan ka arritur tashmë një marrëveshje në parim me sulmuesin për një kontratë tre vjeçare dhe me tre milionë euro në sezon.

“Kuqezinjtë” nuk kërkojnë të nxitojnë në këtë “operacion” për faktin se, Taremi ka edhe një vit kontratë me portugezët, të cilët rrezikojnë ta humbasin edhe me parametra zero dhe Milan kërkon të bëjë sa më shumë presion deri në mbyllje të merkatos verore.

30-vjeçari nga Irani zhvilloi një sezon shumë të mirë edicionin e kaluar, me sulmuesin i cili realizoi 31 gola në 51 ndeshje zyrtare me Porto-n.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA