Qeveria e Kosovës mesa duket nuk do të ketë përfaqësues në takimin joformal mes përfaqësuesve të BE-së dhe liderëve të Ballkanit në Tiranë.
Në përgjigje të interesimit të Top Channel, Këshilltari për Media në zyrën e zv.kryeministrit të Kosovës, Klisman Kadiu ka deklaruar se pjesëmarrja e Bislimit në takimin joformal nuk ka qenë e planifikuar e aq më pak e konfirmuar.
“Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar.
Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij. Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij”– u shpreh Kadiu.
Liderët e rajonit së bashku me komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, do të drekojnë në mesditën e të hënës, në takimin joformal, ku do të diskutohet për Procesin e Berlinit.
Pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo.
Kryeministri Kurti, sipas një komunikimi të Qeverisë së Kosovës, nga dje po merr pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që mbahet në Greqi e ku po marrin pjesë politikanë progresistë e akademikë të shquar.
Top Channel