Për gazetarin italian Dario De Luca, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino që dhanë jetën e tyre për drejtësinë, mbeten idhuj, por mafia fitoi mbi ta.
“Për fat të keq, sipas meje, për një pjesë të shoqërisë, sidomos në Siçili nuk kanë fituar, është e vërtetë që ata shihen si idhuj që kanë sakrifikuar për ne.”-tha gazetari në Top Story.
Gazetari shtoi se gjyqtarë e politikanë janë bashkë me mafian, për të mos zbardhur vrasjen e Falcones.
“Ditën e atentatit një polic është fotografuar me çantën e Borsellino-s në dorë. Ka shumë gjëra që nuk shkojnë. Janë shpikur tre të penduar fiktiv që kanë treguar histori të pavërteta. Ka një hallkë më të lartë të të përfshirëve”-shtoi ai.
Më 23 maj 1992, gjykatësi Giovanni Falcone u vra në mes të ditës, një krim që shënoi një pikë kthese në historinë e Siçilisë. Falcone dhe gruaja e tij, Francesca Morvillo, u vranë së bashku me tre rojet e sigurisë pas shpërthimit të një bombë në makinën e tyre në një rrugë pranë Capaci, në atë që është quajtur si masakra e Capaci.
Falcone, i cili ishte 53 vjeç kur vdiq, kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij duke luftuar mafian. Ai drejtoi gjyqin më të madh të zhvilluar ndonjëherë gjatë viteve 1986-1987, i cili çoi në dënimin e 342 mafiozëve.
Gjyqi zgjati nga data 10 shkurt 1986 deri më 30 janar 1992 dhe u mbajt në një gjykatë të stilit bunker e ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim brenda mureve të burgut Ucciardone. 19 korrik, 57 ditë mbas vrasjes së Falcone-s, magjistrati Paolo Borsellino, i angazhuar me Falcone-n në luftën kundër bandave, shkon për të vizituar nënën e tij në rrugën Mariano D’Amelio, në Palermo.
Top Channel