Rusia njoftoi Kombet e Bashkuara, Turqinë dhe Ukrainën se nuk do ta rinovojë marrëveshjen kyçe të eksportit të grurit ukrainas përmes Detit të Zi.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov pohoi sot se marrëveshja ka arritur fundin e saj “de facto”.
“Rusia do ta rifillojë zbatimin e marrëveshjes vetëm pasi të përmbushen kërkesat e saj. Kur të zbatohet pjesa e marrëveshjes së Detit të Zi që lidhet me Rusinë, ne i kthehemi vënies në jetë të ujdisë menjëherë”, thotw zëdhënës i Kremlinit Dmitry Peskov.
Presidenti rus Vladimir Putin qe ankuar prej kohësh se pjesët e marrëveshjes që lejonin eksportin e ushqimit dhe plehrave ruse nuk ishin respektuar. Në mënyrë të vecantë, ai ishte i pakënaqur me faktin që gruri nuk u dërgua në vendet më të varfra, që ishte dhe një kusht i marrëveshjes.
Moska po ashtu ka pretenduar vazhdimisht se sanksionet perëndimore po kufizonin eksportet e saj bujqësore. Ky shënon praktikisht undin e ujdises së rëndësishme të ndërmjetësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Ankaraja verën e kaluar, që lejonte eksportin e ushqimit nga rajoni i Detit të Zi pas agresionit të Moskës ndaj vendit fqinj.
Pakti lehtësoi lëvizjen e ushqimit dhe plehrave ruse mes sanksioneve perëndimore. Si Rusia, ashtu edhe Ukraina janë furnizues kryesorë globalë të produkteve ushqimore esenciale si gruri, elbi dhe vaji i lulediellit, të cilat konsiderohen jetike për vendet në zhvillim.
Top Channel