Vondrousova “mbretëresha” e re e Londrës, triumfon në finalen e Wimbledon ndaj Jabeur

15/07/2023 22:41

Suksesi në Wimbledon arrihet sërish nga një tjetër teniste mëngjarashe çeke, e këtë herë bëhet fjalë për 24-vjeçaren Marketa Vondrousova.

Pas fitoreve të jashtëzakonshme të sportistes legjendare nga ish-Cekosllovakia Martina Navratilova si dhe tenistes tjetër Petra Kvitova radhën për të shkruar emrin në listën e gjatë të aktivitetit më të vjetër dhe më të lavdishëm në historinë e këtij sporti e pati pikërisht Vondrousova.

Tenistja çeke nuk konsiderohej aspak si favorite për të triumfuar në edicionin e 129 të Wimbledonit për femra, megjithatë kundër cdo lloj parashikimi të mundshëm Vondrousova mposhti në finalen e madhe Ons Jabeur, që përfaqëson padyshim edhe tenisten më të suksesshme të këtij sporti nga bota arabe.

Këtë herë në fushën qendrore u paraqitën dy teniste me mënyra krejtësisht të ndryshme loje. Jabeur zbriti në Center Court me synimin e qartë për të përmbushur misionin për të siguruar të parin titull Slam, pas dy finaleve të humbura vitin e kaluar, fillimisht në Wimbledon ku u mund 6-3, 2-6, 2-6 nga sportistja ruse që përfaqëson Kazakistanin Elena Rybakina si dhe në US Open ku u thye 6-2, 7-6 nga numri 1 i botës Iga Swiatek.

Nëse Jabeur edhe pritej deri diku për të fluturuar larg në këtë edicion në All England Club, falë lojës dhe karakteristikave të saj, në anën tjetër askush nuk mund të imagjinonte Vondrousova-n, për t’i shkuar deri në fund këtij udhëtimi sa të bukur po aq edhe impenjativ, përgjatë dy javëve më të lavdishme të karrierës së saj si teniste profesioniste. Në këtë kohë 12 muaj më parë Marketa iu nënshtrua një operacioni, për shkak të një dëmtimi të rëndë që pësoi në kyçin e dorës.

Ky dëmtim i kushtoi Vondroushova-s gjysmën e dytë të sezonit në 2022, vit kur tenistja ceke pati edhe dy ndërhyrje të tjera kirurgjikale për të riparuar problemet e shumta fizike. Për Vondrousova-n kjo ishte finalja e dytë Slam, pas sfidës së humbur në vitin 2019 në Roland Garros, ku mezi bëri katër game bashkë ndaj australianes Ashleigh Barty. Numri 6 në planet Ons Jabeur e nisi shkëlqyeshëm takimin duke udhëhequr menjëherë 2-0 dhe 40-15 në game-n e tretë. Tenistja tuniziane e cila kishte fituar vetëm 4 nga 11 finalet e zhvilluara në turnetë WTA është e famshme për nervat e saj dhe ngarkesën e lartë emocionale.

Pikërisht në këtë game 28-vjecarja afrikane shpërdoroi tre mundësi shumë të mira duke rikthyer në lojë kundërshtaren e saj, që reagoi pa humbur kohë me kundërbreak. Jabeur pati shpejt rastin për t’u shkëputur sërish, por katër mundësitë për break nuk u shfrytëzuan siç duhej dhe befas pa bërë shumë Vondrousova e gjeti veten në barazimin 2-2. Edicioni i sivjetshëm ngjante shumë me një mision hakmarrjeje për tenisten tuniziane, e cila mori me radhë përpara një pjesë të rivaleve që i kishin bërë dëm në të kaluarën. Për hir të së vërtetës pas finales së humbur vjet me Rybakina-n Jabeur u katapultua në vendin e dytë në renditjen botërore, gjithsesi më pas rezultatet e saj pësuan rënie.

Dy nga katër turnetë e fituar Jabeur i pati siguruar në këtë lloj sipërfaqe, në Birmingham dhe Berlin në vitet 2021 e 2022, sidoqoftë në 12 muajt e fundit suksesin e vetëm tenistja tuniziane e pati regjistruar në Shtetet e Bashkuara në Charleston, në fushë dheu, ku mundi në dy sete sportisten zvicerane Belinda Bencic.

Vlen të theksohet fakti se para muajit qershor Jabeur kishte grumbulluar thjesht 11 fitore në pesë muajt e parë të sezonit, megjithatë në Wimbledon ajo mundi me radhë katër fituese të turneve Slam, si Bianca Andreescu, Petra Kvitova, Elena Rybakina dhe Aryna Sabalenka, madje dy sukseset e fundit erdhën me përmbysje, respektivisht ndaj numrave 3 dhe 2 në rruzull. Pra me gjithë Kvitova-n që ka triumfuar në All England Club në vitet 2011 e 2014 Jabeur mundi plot tre teniste të dhjetëshes së parë të botës.

Pas barazimit 2-2 Jabeur humbi vetëm një pikë në dy lojët e radhës për të kryesuar 4-2, gjithsesi tenistja tuniziane iu rikthye sërish gabimeve të shumta dhe nga kjo gjë përfitoi pikërisht Vondrousova, që humbi thjesht katër pikë në vijim dhe mori katër game-t e fundit të setit të parë. Pasi mori setin hapës sportistja ceke I bëri pesë game-t rresht, teksa theu menjëherë në servis numrin 6 të botës, që sidoqoftë u kundërpërgjigj shpejt për të udhëhequr 3-1.

Nga ana e saj Vondrousova krenohej thjesht me një turne indoor të fituar në Biel, Zvicër, gjashtë vjet më parë, sepse prej aty tenistja ceke humbi katër finalet në vazhdim, ku përfshihej gjithashtu edhe finalja e Olimpiadës së Tokios ndaj sportistes helvete Belinda Bencic. Vondrousova kishte fituar dy sfidat e fundit ndaj tenistes afrikane, që të dyja përgjatë këtij sezoni, në Australian Open dhe Indian Wells, ndërsa Jabeur kishte triumfuar në të vetmen përballje në fushë bari, 6-3, 7-6 në Eastbourne dy vjet më herët.

Në vend që të përfitonte nga eksperienca e madhe dhe aftësitë e saj në këtë lloj sipërfaqe Ons Jabeur ra përsëri pre e nervave të saj dhe për pasojë humbi edhe pesë nga gjashtë game-t e fundit të kësaj finaleje. 31 nga 68 pikët e mara nga Vondrousova erdhën si rrjedhojë e gabimeve të kryesore nga Jabeur.

Përfundimisht Vondrousova mbylli gjithçka me shifrat 6-4, 6-4 në vetëm 80’ lojë, mu para syve të Navratilovës, që në barin londinez ka triumfuar plot 9 herë, për të ngritur lart trofeun Venus Rosewater Dish, që mori nga duart e princeshës së Uellsit Kate Middleton, e cila është “zonja e shtëpisë” në All England Laën Tennis and Croquet Club.

Në këtë mënyrë Marketa Vondrousova u bë tenistja e parë pa numër, që ia del mbanë për të triumfuar në Wimbledon në Open Era. 24-vjeçarja nga Sokolovi e cila në ceremoninë përmbyllëse premtoi se do të shtojë në krahët e saj një tatuazh që I dedikohet pikërisht suksesit të saj në Wimbledon e nisi rrugëtimin 2-javor me vetëm 2 fitore gjithsej në fushat me bar, megjithatë tani falë 2.000 pikëve të mara nga numri 42 në planet Marketa do të katapultohet për herë të parë në karrierë në dhjetëshen e e parë të renditjes botërore, për më tepër duke përfituar gjithashtu edhe çekun e majmë prej plot 2,35 milionë stërlinash./ Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA