Është kohë bilancesh dhe për Shoqatën Rajonale të Futbollit Elbasan, numrat e edicionit të kaluar janë vërtetë pozitivë.
Dhe optimist për të ardhmen. Me një llogaritje të thjeshtë është rritur numri i futbollistëve të kësaj shoqate të regjistruar në ekipe, akademi apo shoqate në shifra të konsiderueshme.
Më konkretisht, për sezonin 2022-2023 janë regjistruar 1008 futbollistë djem, 80 vajza dhe 120 në kampionatin amator të formatit 5×5. Teksa janë 240 djem dhe 50 vajza të regjistruar më shumë se në sezonin paraardhës, pra rreth 24% më shumë. Shifra të diktuara nga projektet e rëndësishme të FSHF-së për zhvillimin e futbollit në vend, veçanërisht për futbollin e bazës.
Për SHRF Elbasan, risia e këtij viti ishte krijimi i kampionatit të vajzave për moshën U-13 me pjesëmarrjen e pesë ekipeve të femrave. Si edhe organizimi i kampionateve ndër-rajonale për moshat U-17 dhe U-19.
Gjithashtu, projekti Uniforma Ime ka rezultuar një lehtësim edhe për të gjitha familjet e Elbasanit, duke nisur nga vetë klubet. Por edhe prindërit, të cilët hoqën disa shpenzime të rëndësishme për fëmijët e tyre në një kohë që ky projekt pritet të vazhdojë për të pasur një ndikim të vazhdueshëm. Normalisht pati një impakt edhe në rritjen e numrit të fëmijëve të regjistruar. Dhe pjesëmarrja e tyre ka qenë në një nivel të kënaqshëm.
Sakaq, problematika më e madhe në qarkun e Elbasanit janë terrenet, sidomos në sezonin e shirave. Pasi pjesa më e madhe e fushave janë natyrale dhe vetëm një fushë është sintetike.
Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan, do të synojë që të rrisë numrin e ekipeve pjesëmarrëse më kampionatin e futbollit 5×5. Dhe të ketë shtrirje më të gjere të ekipeve nga i gjithë qarku që të marrin pjesë në kampionat.
SHRF Elbasan shpreson që të vijojnë me rritjen e numrit të vajzave të cilat luajnë futboll edhe përgjatë sezonit në vazhdim. Synim tjetër kryesor është edhe rritja e numrit të fëmijëve që të merren me sportin e futbollit. /Supersport
Top Channel