Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) po proteston në Prishtinë kundër Ligjit për pagën minimale.

“Mimozë a t’kallxoi Radojiçiç ku janë 1600 të zhdukurit?”, shkruhej në një prej pankartave, ndërsa shumë prej veteranëve mbanin flamuj të Shqipërisë, Kosovës dhe UÇK-së.

Ndërkohë në rrjetet sociale, është bërë thirrje edhe për protestë kundër Qeverisë së Kosovës.

Ata kanë kërkuar edhe dorëheqja e deputetes Mimoza Kusari-Lila.

Protesta është thirrur dy ditë pas miratimit të Ligjit për pagën minimale, në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 13 korrik.

Ligji parashikon rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 dhe është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

Veteranët e UÇK-së janë të pakënaqur për mospërfshirjen e tyre në këto ndryshime. Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, përkatësisht 170 euro.

Ata patën protestuar edhe në qershor të vitit të kaluar, duke kërkuar që ndryshimet ligjore të mos miratohen derisa të mos amendamentohet dokumenti.

Top Channel