Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që të tërheqë “sejmenët” dhe t’i lërë njerëzit të protestojnë për të drejtën e tyre.

Ai fajësoi kryeministrin se nuk po qeveris më vendin. Kreu i AAK-së shtoi se është me të gjithë ata që protestojnë sot në kryeqytet.

“Pushteti nuk është gjithçka. Albin Kurti, tërhiqi mbrapshtë sejmenët e tu. Lëri njerëzit të protestojnë për të drejtën e tyre dhe mos e ndajë e mos e përçajë popullin. Ato që dikur e ke shfrytëzuar si të drejta per vete, (protestat e demonstratat) mos provo t’ua ndalosh të tjerëve”, shkroi ndër të tjera Haradinaj në Facebook.

Veteranët kanë paralajmëruar për sot një protestë, e cila do të nisë në orën 18:00, në sheshin “Skënderbeu”. Ata do të protestojnë kundër skandaleve të Qeverisë, kundër koordinimit me Millan Radojçiçin dhe kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar më 14 korrik Projektligjin për pagën minimale, në të cilin nuk janë përfshirë veteranët.

Top Channel