Akropoli në kryeqytetin grek Athinë është mbyllur gjatë orëve më të nxehta të ditës për të mbrojtur vizitorët nga vala e të nxehtit që ka përfshirë vendin.
Turistëve u është ndaluar hyrja në atraksionin më të njohur të vendit nga ora 12:00 deri në 17:00.
Akropoli ndodhet në një kodër shkëmbore, ku i nxehti ndihet më shumë. Ditët e fundit, Kryqi i Kuq Grek është vendosur në disa pika për të siguruar shishe uji dhe për të ndihmuar njerëzit që kanë nevojë.
Temperaturat në Athinë kanë tejkaluar 40 gradë Celsius, teksa pjesa më e madhe e Europës Jugore po përjeton valët e të nxehtit ekstrem, që pritet të prekë kulmin javën e ardhshme.
Në shtetin helen, autoritetet u druhen zjarreve të mundshme për shkak të vapës përvëluese, sidomos në zonat me erëra të forta. Vitin e kaluar, zjarret shkatërrimtarë mbërthyen vendin, duke shkaktuar disa viktima.
Në Kroaci, zjarret shpërthyen të enjten, duke djegur shtëpi dhe makinat në fshatin Grebastica, në bregdetin dalmat.
Në fillim të javës, një burrë rreth të dyzetave vdiq nga i nxehti në Italinë veriore, ndërsa disa vizitorë kanë shfaqur probleme shëndetësore, përfshirë një britanik jashtë Koloseut në Romë.
Vala e të nxehtit është quajtur Cerberus nga Shoqëria Meteorologjike Italiane, sipas përbindëshit me tre koka që shfaqet në Ferrin e Dantes.
Top Channel