Rama reagon për Arben Ahmetajn: S’pajtohem me asnjë që thyen besimin e shqiptarëve për të fryrë xhepin!

14/07/2023 18:42

Kryeministri Edi Rama ka dalë me një deklaratë për opinionin publik pak orë pasi Kuvendi votoi pro heqjes së mandatit të deputetit Arben Ahmetajt, duke i hapur rrugë arrestimit të tij pas kërkesës së SPAK.

Duke iu referuar lajmit se Ahmetaj është zyrtari më i lartë, për të cilin SPAK kërkon arrestimin pas hetimeve, kryeministri foli për reformën në drejtësi, që tha se e ka mbështetur që në fillim. Më parë, shtoi ai, nuk kishte ndodhur që një njeri me pushtet të dilte para drejtësisë si njeri i thjeshtë.

Sot ne votuam një kërkesë të SPAK-ut për të autorizuar arrestimin e një deputeti, i cili ka mbuluar detyra të rëndësishme në qeveritë tona, si ministër dhe zv.kryeministër!

Ky i zyrtarit më të lartë shqiptar që gjermësot ka përfunduar në rrjetën hetimore të SPAK-ut, ishte një tjetër test për ne, si nismëtarët e Reformës në Drejtësi, kur ishim në opozitë, udhëheqësit e saj të vendosur kur erdhëm në qeveri dhe garantët e saj të palëkundur që kur Reforma u miratua e hyri në rrugën e zbatimit të saj.

Kush më ka dëgjuar, qysh në krye të herës besoj duhet ta mbajë mend se e kam kërkuar me shumë ngulm këtë reformë. Kur kam thënë se nuk duam një tjetër arrnë nga ato të mëparshmet për drejtësinë, po duam një përmbysje të sistemit të vjetër të drejtësisë, e kam menduar shumë mirë ç’ka flas dhe kam folur pikërisht atë që kam menduar”.

Para shqiptarëve që i kanë besuar votën, kryeministri tha se “nuk pajtohet me askënd që fut duart në xhepa”.

“Mua këtë mision ma kanë besuar shqiptarët. Para tyre, qoftë atyre që më kanë zgjedhur ose jo, për ta udhëhequr këtë përpjekje historike në të mirë të gjithëve, nuk pajtohem dot me askënd që thyen besimin e shqiptarëve, për të fryrë xhepin.

Dua të kthej nderin që më kanë bërë, duke besuar nderin e këtij vendi, jam gati të mbaj baltën pa mbarim, por nuk jam e nuk do të jem kurrë gati të mbaj në kurriz të PS askënd që mendon se mund ta mbajë si kurrizin e një kali për të shirë pa fund.

Kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë ku bën dy punë, dhe për shtetin dhe xhepin, merr një përgjegjësi që nuk e ndan dot, por duhet ta mbajë vetë. Qoftë kur sheh veten para pasqyrës, qoftë kur sheh lart nga Zoti, qoftë kur gjendet përballë drejtësisë”.

Kuvendi votoi sot me 117 vota pro heqjen e mandatit të deputetit Arben Ahmetajt, duke i hapur rrugë arrestimit të ish zv. kryeministrit, pas kërkesës së SPAK.

Tashmë pritet që vendimi të botohet në Fletoren Zyrtare. Pritet që SPAK të marrë leje në Gjykatë për të vijuar me arrestimin dhe kontrollin e banesës së Ahmetajt, i cili nuk ndodhet në Shqipëri.

Ish-zëvendëskryeministri Ahmetaj reagoi përmes llogarisë së tij në Facebook pak para se të niste të zhvillohej seanca lidhur me kërkesën e SPAK-ut.

Deri më tani nuk dihej vendndodhja e Ahmetajt. Por, avokati i tij Henrik Ligori njoftoi se ai ndodhet në Angli, pranë vajzës së tij.

SPAK deklaron se ka mbledhur prova që tregojnë se ish-ministri i Financave në gjashtë raste ka kryer korrupsion. Shembulli më korruptiv dhe flagrant lidhet me gjurmët e mbetura në kompjuterin e Klodian Zotos, i kërkuar dhe i akuzuar për inceneratorët i cili dyshohet se i pagoi udhëtime në disa shtete, atij dhe bashkëshortes. Pesë rastet e tjera të korrupsionit mbahen sekret nga SPAK pasi ka edhe persona të tjerë nën hetim.

Top Channel