Gjykata e lartë e Suedisë bllokon dy ekstradime ‘terroristësh’ të kërkuar nga Turqia (fotot)

13/07/2023 17:09

Vendimi vjen teksa Turqia ka lejuar Suedinë të aderojë në aleancën e NATO, vend të cilin më parë e kishte quajtur ‘parajsë për terroristët’.

Gjykata e lartë e Suedisë ka refuzuar sot kërkesat e ekstradimit për dy burra të kërkuar nga Turqia, duke thënë se vendi skandinav nuk i quan ‘krime’ aktet që ata akuzohen se kanë kryer.

Dy personat në fjalë janë refugjatë në Suedi por nuk janë identifikuar publikisht. Gjykata tha për ta se nuk plotësohen kriteret e shkeljeve kriminale, teksa Ankaraja i akuzon si anëtarë të organizatës së klerikut me bazë në SHBA, Fethullah Gulen pasi kanë “shkarkuar aplikacionin e përdorur nga kjo organizatë”.

Turqia fajëson Gulen për grushtin e dështuar të shtetit në Turqi në 2016 dhe e ka futur në listën e organizatave të terrorit.

“Shkarkimi dhe përdorimi i një aplikacioni celular nuk mund të konsiderohet si pjesëmarrje kriminale, sipas ligjit të krimeve terroriste”, thuhej në argumentimin e gjykatës.

Së fundmi Suedia ka ashpërsuar ligjet e saj kundër terrorizmit, pikërisht për të kënaqur kriteret e kërkuara nga Turqia për mbështetjen e saj në aplikimin drejt NATOs.

Sipas legjislacionit, individët e provuar si pjesëmarrës organizata të armatosura, që promovojnë, ose mbështesin ato, përballen me deri në kater vjet burgim, por dënimi mund të rritet deri në tetë vjet nëse krimi konsiderohet serioz.

Të hënën Turqia si anëtare e NATO-s tërhoqi kundërshtimet e saj për aderimin e Suedisë në Aleancë pasi e kishte bllokuar për gati një vit.

Çdo vendim i NATO-s për zgjerimin e aleancës ushtarake kërkon aprovim unanim nga të gjithë anëtarët.

FOTO GALERI
1/3
Gjykata e lartë e Suedisë ka refuzuar sot kërkesat e ekstradimit për dy burra të kërkuar nga Turqia

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA