Autoritetet meksikane kanë kërkuar ekstradimin e Bryant Rivera nga Los Angeles, si fajtor për vdekjen e Angela Carolina Acosta Flores.
Autoritetet amerikanë të Kalifornisë kanë arrestuar tashmë një burrë të akuzuar për vrasjen e tre grave në qytetin kufitar të Meksikës, Tijuana. I dyshuari kishte kaluar disa herë kufirin shteteror pas çdo vrasjeje, të cilat i kishte kryer përgjatë një viti duke nisur nga 2021.
Sipas të dhënave gjyqësore në SHBA, 30-vjeçari Bryant Rivera, rezident në Los Angeles u arrestua më 6 korrik i akuzuar për femicidin, vrasje me mbytje të Angela Carolina Acosta Flores, trupi i së cilës u gjet në një dhomë hoteli në Tijuana më 25 janar 2022.
Meksika kërkon ekstradimin e tij me qëllim prezantimin e provave dhe për vrasjet e dy grave të tjera Tijuana. Prokurori Ricardo Ivan Carpio, i shtetit Baja California, tha se prokuroria do të sjellë të tjera prova kur Rivera të ekstradohet.
Nëna e viktimës Acosta, tha për autoritetet se bija e saj punonte si kërcimtare në një bar ngjitur me shtëpinë dhe nganjëherë dhe si prostitutë. Ajo kishte dëgjuar për herë të fundit nga e bija më 24 janar 2022, kur i shkroi se po shkonte me një klient në dhomën 404 të Las Cascadas Hotel për 30 minuta rreth orës 22.30.
Pas orarit të caktuar nëna kishte shkruar e telefonuar por nuk dëgjoi më prej saj.
Të dhënat tregojnë se shoqëruesi i Acosta ishte kthyer në barin ku ajo punonte, duke “pyetur për të”.
Trupi i gruas u gjet në dhomën e hotelit sipas përshkrimit të nënës.
Të dhënat doganore të SHBA tregojnë se Rivera ishte kthyer në këmbë në SHBA duke kaluar nga pika San Ysidro pak pas mesnatës së 25 janarit 2022.
Top Channel