Begaj në Slloveni flet për veriun e Kosovës: Liderët e dy vendeve të respektojnë marrëveshjet/ Musar: Nëse çështja nuk rregullohet, s’ka paqe në rajon

13/07/2023 12:20

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj në konferencën e përbashkët me homologen Pirc Musar në Slloveni ka komentuar situatën në veri të Kosovës.

Duke theksuar rëndësinë e stabilitetit në rajon, presidenti shqiptar tha se çdo çështja e vjetër apo e re në rajon duhet të zgjidhet përmes dialogut. Ndërsa homologia sllovene u shpreh se rajon nuk ka paqe, nëse kjo çështje nuk rregullohet.

Bajram Begaj: Stabiliteti nuk jepet falas, duhet punuar për ta pasur dhe për fatin e keq situata në veriun e Kosovës, situata e kohëve të fundit na tregoi që stabiliteti është shumë i rëndësishëm. Politika e eskalimit për të deeskaluar është një politikë e ditës, e cila i shërben politikanëve për të fituar zgjedhjet e radhës, por kurrsesi nuk i shërben prosperitetit të vendeve të përfshira.

Si vende fqinje na takon që të ndërtojmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin dhe në vend të mureve të ndërtojmë ura bashkëpunimi. Na takon që çdo çështje, të vjetra apo të reja, çështje të cilat janë të lidhura nga dallime të vjetra apo të reja duhet të diskutohen, duhet të dialogohen dhe e vetmja zgjidhje është dialogu dhe gjetja e një kompromisi, pasi çdo përkeqësim i situatës së stabilitetit në rajonin e veriut të Kosovës do të sjellë një destabilizim të të gjithë rajonit dhe më gjerë. Që në vend që të harxhojmë energjitë tona për të deeskaluar situatën e eskaluar, të harxhojmë energjitë tona për të punuar për të implementuar atë dakordësi publike që liderët e Kosovës dhe të Serbisë kanë pranuar në Bruksel dhe anekset e miratuara në Ohër.

Pirc Musar: Nuk jemi të kënaqur me ato që po ndodhin atje. Mendoj se jemi në të njëjtin rrugëtim, se nëse do të vazhdohet kështu nuk është mirë për shtetet. Nëse çështja nuk rregullohet, nuk do të kemi paqe në këtë rajon. Ka eskaluar deri në atë shkallë sa ne kemi dëgjuar për lëvizjet e forcave ushtarake dhe retorike të ashpër nga të dyja vendet.

Sa më parë duhet të miratohet dhe respektohet marrëveshje e nënshkruar për komunat serbe dhe premtimi i Serbisë që nuk do ta pengojë rrugëtimin e Kosovës drejt Europës.

Shqipëria për momentit është anët e Kombeve të Bashkuara dhe këto të fundit ndjekin situatën.

Pasi u zgjodhën kryetarët e rinj në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, nisën tensionet mes qytetarëve serbë atje dhe institucioneve. Tensionet u përshkallëzuan me konfrontim fizik mes protestuesve dhe policisë së Kosovës e forcave të KFOR-it.

Megjithatë pak ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ndodhur përballë presionit ndërkombëtar, ra dakord me parakushtet e Bashkimit Evropian për tërheqjen e policisë nga Veriu dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në 4 komunat.

Top Channel