“Medalioni i hënës”, një shfaqje artistike, nën yje dhe mbi Torrën Veneciane, solli në Durrës kolosin e letrave shqipe, Ismail Kadarenë dhe poezinë e tij të interpretuar nga emrat e mëdhenj të skenës dhe ekranit shqiptar, Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Xhelal Tafaj, Olta Daku, Arben Derhemi dhe Anila Bisha.
E konceptuar nga regjisorja Driada Dervishi si një festë e poezisë në një nga monumentet më përfaqësuese të trashëgimisë sonë kulturore, shfaqja ndërthuri bukur fuqinë e vargut të Kadaresë me tingujt muzikorë dhe lëvizjet harmonike.
Artdashësit dhe çifti Kadare shijuan plot emocion interpretimet e aktorëve dhe të këngëtares Vikena Kamenica të shoqëruar në flaut nga artistja e njohur shqiptare në Itali Daorsa Dervishi dhe kitaristi Arbër Çerri, por dhe nga lëvizjet plot finesë të balerinës Vanesa Barushi.
Për regjisoren kjo shfaqje dedikuar poezisë së Kadaresë është e veçantë në karrierën e saj, ndërsa shpreson që Durrësi të marrë vendin që i takon në hartën e kulturës dhe artit mbarëkombëtar.
Top Channel