Gjyqësori italian përplaset me ekzekutivin për hetimet ndaj zyrtarëve të qeverisë Meloni (fotot)

12/07/2023 17:22
Tensionet kanë nisur që prej akuzave për aktivitetet e biznesit të ministres së turizmit Daniela Santanchè, e afërt me Meloni

Gjyqtarët italianë po shënjestrohen për disa hetime të kontestuara ndaj figurave kryesore në koalicionin e kryeministres së djathtë Meloni, shkruan rrjeti britanik TheGuardian.

Gjyqësori në Itali duket se është në mes të përplasjeve me qeverinë e të djathtës ekstreme për hetimet ndaj figurave kryesore të koalicionit në pushtet.

Në një dokument ku citohen burime nga zyra e kryeministres Giorgia Meloni, thuhet se “një segment i gjyqësorit” është vënë nën sulme “pasi kanë zgjedhur të luajnë një rol aktiv opozitar” me supozime se duan të rrëzojnë administratën e saj në zgjedhjet e Parlamentit Evropian vitin që vjen.

Tensionet kanë nisur që prej akuzave për aktivitetet e biznesit të ministres së turizmit Daniela Santanchè, e afërt me Meloni, që kanë sjellë thirrje për dorëheqjen e saj.

Santanchè mohon se është hetuar, por burimet gjyqësore deklaruan pas një fjalimi të saj se po hetohet qe prej tetorit për fshehje të dhënash fiskale dhe falimentim në lidhje me shtëpinë e saj botuese Visibilia.

“Nuk kam përvetësuar kurrë asgjë që nuk është e imja, nuk kam abuzuar kurrë me postet e mia në kompani. Sfidoj këdo të provojë të kundërtën”, tha ajo.

Të tjera raportime thonë se një gjykatës është vënë në sulme pasi refuzoi mbylljen e një çështje ku përfshihet Andrea Delmastro, zyrtar i partisë së Meloni “Vëllezërit e Italisë”.

Delmastro aty akuzohet për shkelje të rregullave të sekretit pasi foli në parlament në lidhje me Alfredo Cospito, një lider anarkist i burgosur në regjim të ashpër, çka rezervohet zakonisht për krerët e mafias.

Ndërkohë, Ignazio La Russa, kreu i Senatit dhe themelues i partisë së Meloni, provokoi debate duke hedhur dyshime mbi akuzat e përdhunimit të një gruaje ndaj djalit të tij.

Maurizio Gasparri, politika i partisë së Silvio Berlusconi, Forza Italia, akuzonte së fundmi se “gjyqësori po sulmon kushtetutën”.

Por magjistratët kanë reaguar duke thënë se akuzat janë të rreme dhe dëmtojnë besimin te gjyqësori.

Ndërkohë qeveria e Meloni po përpiqet të arrijë objektivat e saj duke nxitur ndryshime në sistemin gjyqësor si kufizime të përgjimeve dhe anulim të krimeve si abuzim me postin, që gjithashtu janë kritikuar nga gjyqtarët.

Qeveria po përpiqet të ndajë rrugën e karrierës së prokurorëve dhe gjyqtarëve në mënyrë që ata të mos të mund të punojnë në të dyja pozicionet.

Analisti vendas Francesco Galietti, tha se ka një përplasje ku qeveria flet me tone intimiduese ndaj gjyqësorit.

“Qeveria mendon se ka një mandat të fortë dhe se mund të ndalojë oksigjenin ndaj pushteteve të tjera, çështja është nëse kjo do të sjellë destabilizim deri në zgjedhjet e PE”, tha ai.

FOTO GALERI
2/3
Ndërkohë qeveria e Meloni po përpiqet të arrijë objektivat e saj duke nxitur ndryshime në sistemin gjyqësor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA