Pjesëtarë të tre familjeve nga Durrësi, prindër dhe fëmijë, janë shpëtuar natën e kaluar gjatë një operacioni kërkim-shpëtimi në det të hapur.

12 personat po lundronin nga Lezha në drejtim të Durrësit, kur skafi i tyre “Almena” i drejtuar nga një 50-vjeçar Indrit B. ka pësuar defekt. Në kushtet e errësirës dhe nën pushtetin e dallgëve dhe erës që frynte nga veriu pronari i skafit ka kërkuar ndihmë.

Autoritetet detare kanë organizuar operacioni SAR dhe në drejtim të skafit me 12 persona në bord, shumica e të cilëve fëmijë nga 4 deri në 18 vjeç ka shkuar anija “Semani” P-04 e Rojes Bregdetare. Pronari i skafit bashkë me 3 vajzat e tij dhe dy familje të tjera, të afërm të tyre, ishin nisur nga Durrësi drejt Ranës së Hedhun dhe pasi kanë qëndruar gjithë ditën atje, në mbrëmje janë nisur drejt Durrësit, po kanë pësuar defekt.

Skafi u gjet pranë Kepit të Rodonit dhe pasi u evakuuan prej tij pushuesit e mitur dhe prindërit e tyre, mjeti u rimorkua dhe u shoqërua në portin e Durrësit. Në drejtim të skafit të rrezikuar ka shkuar dhe një skaf i Policisë kufitare.

Ndonëse në një situatë paniku në kushtet e errësirës dhe një deti të trazuar, të 12 pushuesit mbërritën në Durrës në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa Qendra Ndëroperacionale Detare (QNOD) u bën thirrje pushuesve që të bëjnë kujdes dhe të kërkojnë sa më shpejt ndihmë për të parandaluar në kohë fatkeqësitë detare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA