Aleatët e NATO-s i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë Kinës në Samitin e Vilniusit, e cila po sfidon gjithnjë e më shumë rregullat e rendit ndërkombëtar dhe refuzon të dënojë Rusinë, duke rënë dakord që të punojnë së bashku për t’u “mbrojtur kundër sjelljes shtrënguese të Kinës”.
Megjithatë, i pyetur për investimet kineze në Shqipëri dhe raportet e vendit tonë me Pekinin zyrtar, kryeministri Edi Rama tha se “Kina dhe Rusia janë martesa të vjetra të cilave nuk do të donim t’iu ktheheshim.”
Sipas Ramës, edhe pse dy vendet ruajnë raporte të mira, Shqipëria nuk po përballet me një ‘bum’ investimesh kineze dhe as nuk është se i mirëpret aq fort ato.
“Më lejoni t’iu them që nuk jam në pozitën më të mirë për t’iu dhënë këshilla ose t’i jap leksione të tjerëve në lidhje me historinë. Ne nuk i kemi këto probleme sepse ne e kemi patur Kinën dhe Rusinë kur të gjithë vendosëm t’i lëshonin ato. Nëse në këtë vend ku ne jemi sot apo në vendet e ish Bashkimit Sovjetik statujat e Stalinit u hoqën nëpër bulevarde ne ende e kishim sepse ne e lamë bllokun komunist dhe traktatin e Varshavës në 1960 dhe arsyeja ishte që ne donim të ishim besnikë ndaj Stalinit dhe për ne të gjithë të tjerët ishin tradhtarë.
Më pas, u bashkuam me Kinën dhe bëmë pikërisht revolucionin kinez me ta që na erdhi në formën e, së pari, një deklarimi që Zoti është i paligjshëm si një refugjat i paligjshëm dhe shkatërruam 2400 e disa kisha dhe ndërtime fetare dhe shkatërruam në vitet ’70 të gjithë artin fetar. Pra, si Rusia dhe Kina janë martesa të vjetra që ne nuk do donim t’ riktheheshim.
Për të tjerët është ndryshe. Është histori ndryshe, qëndrime të tjera dhe Kina, me Kinën dhe Rusinë ne nuk është se kemi patur marrëdhënie. Thjesht imagjinoni, që prej 1990 kur ne morëm lirinë nuk ndodhi ndonjë vizitë zyrtare në nivel të lartë nga Shqipëria në Moskë apo nga krahu tjetër. Me Kinën është ndryshe sepse kemi marrëdhënie miqësore, por nuk është një vend, nuk është vendi ynë që kemi patur shumë investime kineze dhe ne nuk është se mirëpresim kaq fort investimet kineze. Them se i thashë të gjitha, që nuk do që t’i kthehesh një martese të vjetër”– tha Rama.
Top Channel