Hidhen zambakë të bardhë në lumin Neretva/ Masakra e Srebrenicës, u jepet lamtumira 30 viktimave të tjera të identifikuara

11/07/2023 16:41

Ndërsa sot shënohet 28 vjetori i masakrës së Srebrenicës, Bosnja dhe Hercegovina  i dha lamtumirën 30 viktimave të tjera të gjenocidit të identifikuara së fundmi.

Çdo vit më 11 korrik, viktimat e identifikuara të gjenocidit varrosen në varrezën përkujtimore në Potocari, në Bosnjen lindore, ndërsa mijëra vizitorë nga vende të ndryshme marrin pjesë në ceremoni.

Qendra përkujtimore është pika qendrore e kujtimit për miqtë dhe të afërmit e viktimave, kryesisht burra dhe djem, të vrarë nga forcat serbe të Bosnjës.

Pas funeralit të këtij viti, numri i varreve në varreza u rrit në 6751.

Kryeministri malazez, Dritan Abazoviç, ministrja turke për shërbimet familjare dhe sociale, Mahira Ozdemor Goktas dhe shumë politikanë vendas morën pjesë në ceremoni.

Abazoviç tha se gjenocidi i Srebrenicës nuk duhet të mohohet.

“Gjenocidi nuk duhet mohuar kurrë. E vërteta ju bën të lirë dhe besoj se kur të gjithë ta pranojmë të vërtetën, rajoni do të marrë një rrugë tjetër, rrugën e pajtimit dhe përparimit”, tha Abazoviç.

Presidenti malazez, Jakov Milatoviç në një video-mesazh tha se gjenocidi në Srebrenicë është tragjedia më e madhe njerëzore në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ministrja e Jashtme bullgare, Mariya Gabriel tha se “nuk duhet të harrojmë kurrë atë që ndodhi në Srebrenicë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në rrjetet sociale tha se Dita e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës mban në vetvete shumë tragjedi të patregueshme.

“Një ditë kur kujtojmë vrasjen e 8372 njerëzve të pafajshëm dhe krimet e panumërta të përdhunimeve dhe torturave. Është gjithashtu përkujtim se e vërteta nuk nderohet por mohohet nga Serbia, vetë krim çnjerëzor”, tha Kurti.

Aktivitete të ndryshme u mbajtën për të përkujtuar gjenocidin në Sarajevë, dhe në qytete të tjera të rajonit.

Në urën historike në Mostarit, një qytet ikonik me shumë besime njerëzit u mblodhën për të kërcyer pa duartrokitje nga ura rreth 20 metra e lartë. Pjesëmarrësit hodhën gjithashtu zambakë të bardhë në lumin Neretva, duke simbolizuar pafajësinë e viktimave të gjenocidit.

Kryeqyteti i Kroacisë, Zagrebi, mbajti një projeksion të lules ikonike të Srebrenicës.

Këshilli Kombëtar i Boshnjakëve shpërndau gjithashtu lule të Srebrenicës në qytetin e Novi Pazarit për të kujtuar viktimat.

Lulja përcjell një mesazh të fortë, ku e bardha nënkupton pafajësinë, e gjelbra nënkupton shpresën dhe 11 petalet janë për datën 11 korrik të viti 1995, ditën kur ndodhi masakra.

Ndërkohë, mijëra njerëz morën pjesë në Mars Mira, një marshim i përvitshëm i paqes.

Mijëra njerëz nga e gjithë bota shkojnë në qytetin boshnjak çdo vit dhe ndjekin të njëjtën rrugë pyjore të përdorur nga boshnjakët kur po iknin nga gjenocidi. Fushata zgjat tre ditë, duke kulmuar me mbërritjen e pjesëmarrësve në Potoçari.

Më shumë se 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u vranë kur forcat serbe sulmuan qytetin lindor të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave paqeruajtëse holandeze.

Forcat serbe po përpiqeshin të merrnin territorin nga myslimanët boshnjakë dhe kroatët për të formuar një shtet.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së e kishte shpallur Srebrenicën një “zonë të sigurt” në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, trupat e udhëhequr nga gjenerali Ratko Mlladiç, i cili më vonë u shpall fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, pushtuan zonën e OKB-së.

Trupat holandeze nuk arritën të vepronin ndërsa forcat serbe pushtuan zonën, duke vrarë rreth 2,000 burra dhe djem vetëm më 11 korrik.

Rreth 15,000 banorë të Srebrenicës u larguan në malet përreth, por trupat serbe gjuajtën dhe vranë 6,000 njerëz të tjerë. Trupat e viktimave janë gjetur në 570 vende në të gjithë vendin.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vendosi se në Srebrenicë ishte kryer gjenocid.

Më 8 qershor 2021, gjyqtarët e gjykatës së OKB-së lanë në fuqi në një gjykim të shkallës së dytë një vendim që dënonte Mlladiçin me burgim të përjetshëm për gjenocid, persekutim, krime kundër njerëzimit, shfarosje dhe krime të tjera lufte në Bosnje e Hercegovinë.

FOTO GALERI
4/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA