Për të dytin sezon radhazi, Ballkani jo vetëm triumfoi në Kosovë, por gjithashtu do të marrë pjesë në kualifikueset e Champions League.
Tradita në Europë është e rëndësishme, por jo përcaktuese dhe emocionet e kujtimet janë të freskëta, me Ballkanin që në sezonin e parë debutues ia doli të shkonte shumë larg, në fazën e grupeve të Conference League, duke shkruar historinë për futbollin dardan.
Të martën, në stadiumin “Fadil Vokrri” skuadra e Ilir Dajës do të presë Ludogorest në ndeshjen e parë kualifikuese dhe Ballkani është gati për të shkruar kapitullin e ri sepse historia e skuadrës kosovare sapo ka nisur.
Në letër, bullgarët nisen si favoritë, kjo për faktin se në të kaluarën jo shumë të largët, Ludogorest ka arritur të prekë edhe fazën e grupeve të Champions League, por edhe të Europa League, ku sezonin e kaluar u eliminua në raundin e 1/16-ave ndaj Anderlecht.
Bullgarët kaluan dy raundet e para të Champions-it sezonin e kaluar, ndërsa u eliminuan në raundin e tretë ndaj Dinamo Zagreb.
Ndërkohë, kampionët e Kosovës, sezonin e kaluar nuk ia dolën në ndeshjen e parë të Championsi-t përballë Zalgiris, kundërshtar të cilin Ludogorest e eliminoi në Play-Offin e Europa League ku mori biletën për në fazën e grupeve.
Ludogorest po dominon totalisht kampionatin bullgar, kjo për faktin se skuadra e cila drejtohet nga trajneri Petev ka fituar titullin kampion në 12 sezonet e fundit radhazi.
Një formë që në letër tremb disi, por skuadra nga Suhareka do të kërkojë të shfrytëzojë në maksimum faktorin shtëpi dhe mbi të gjitha, të implementoj eksperiencën e fituar gjatë sezonit të kaluar.
Futbolli ka treguar shpesh se diferencat në letër zerohen në fushën e lojës dhe Ballkani do të provojë të marrë maksimumin për të çuar përsëri në peshë mijëra zemra “kuqezi”.
Ballkani-Ludogorest do të luhet të martën, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë duke nisur nga ora 20:45, sfidë e cila do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në “SuperSport 2”.
Top Channel