Të huajt në Marshin e Paqes: Njerëzit duan njohjen e gjenocidit, jo hakmarrje

10/07/2023 13:15

Ubaidi, nga Pakistani, dhe Amina, nga Bosnje e Hercegovina, u takuan në vitin 2021, në Marshin e Paqes.

Dy vjet më vonë, si çift i martuar, ata po e bëjnë këtë rrugëtim përsëri, në kujtim të atyre që erdhën këtu, pasi Ushtria e Republikës Sërpska e mori Srebrenicën, në korrikun e 1995-tës.

Mijëra njerëz lëvizën përmes maleve dhe vijës së frontit të armikut për të kaluar në territorin e lirë, në rrethinën e Tuzllës. Shumica prej tyre nuk mbijetuan. Më shumë se 8.000 njerëz, shumica burra dhe djem, nga Srebrenica dhe rrethinat e saj, u vranë në gjenocidin e shkaktuar nga ushtria dhe policia e Republikës Sërpska, në një zonë të siguruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

“Kur dëgjova për Srebrenicën, desha të vija në Potoçari. U preka shumë nga ai muze. Atje dëgjova për Marshin e Paqes. U përpoqa, në vitin 2020, por ata më kthyen mbrapsht në kufi, sepse isha në Serbi në atë kohë, ishin [masat] e izolimit për shkak të pandemisë. Thashë, ‘në rregull, do të shkoj vitin e ardhshëm’. Dhe ja, shkova në marsh në vitin 2021. Po kërkoja vozitje të lirë në rrugë, kur Amra – e cila e kishte humbur të birin në Srebrenicë – u ndal”, tha Ubaidi për Radion Evropa e Lirë.

Ai shkoi, me mijëra të tjerë, në një marsh tjetër të paqes, ku e kishte takuar Aminën, dy vjet më herët.

“Ajo po bënte kërkime për doktoratë rreth kësaj teme”, thotë Ubaidi, programues 41-vjeçar, i cili ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga mosha 9-vjeçare.

Amina tregon se doktoratën e punoi në antropologji, me titullin: “Si reflekton çështja e pazgjidhur e të pagjeturve nga gjenocidi i Srebrenicës në jetën sociale dhe fluksin e emigrimit të anëtarëve të familjeve të tyre, shumë prej të cilëve janë në Amerikë dhe Australi”.

“Kështu, e takova Khanin, në marshin e 2021-tës, dhe ne vazhduam komunikimin, u takuam me familjet, ai me timen, unë më të tijën, dhe tani, në shkurt 2023, ne u martuam”, thotë Amina, me origjinë nga Donji Vakufi, në Bosnjën qendrore.

“Unë kam udhëtuar nëpër Evropë dhe në pjesë të Evropës lindore, e kam përvetësuar… Perëndimi është ndryshe. Në lindje mendon se po mëson, por sa më shumë që e zbulon një tregim, ai bëhet çdo herë e më i koklavitur”, tha ai për Radion Evropa e Lirë, teksa pushonte para se të vazhdonte marshin.

Në Marshin e Paqes 2023 është edhe një profesor i Universitetit të Karolinës së Veriut. John Cox është, po ashtu, drejtor i Institutit të Holokaustit dhe Gjenocidit në Universitetin e Sharlotit.

“Kam lexuar shumë për mohimin e gjenocidit, posaçërisht se si serbët e mohojnë gjenocidin”, tha ai për REL-in. Ai pohoi se kjo është etapa e fundit e gjenocidit.

Një grup autorësh nga Holanda është i pranishëm në Marshin e Paqes, po ashtu. Ata po punojnë në një dokumentar për Srebrenicën dhe për miken e tyre, e cila është fotografe.

Artillio thotë se njerku i tij ishte në Srebrenicë, si paqeruajtës i OKB-së. Anëtarë të forcave paqeruajtëse nga Holanda nuk i mbrojtën civilët në Potoçari para 28 vjetëve. Më shumë se 25.000 gra, fëmijë dhe pleq u dëbuan nga asokohe zona e mbrojtur nga OKB-ja. Më 2019, Gjykata Supreme e Holandës vendosi se Holanda kishte përgjegjësi “shumë të kufizuara” për gjenocidin, për shembull, për vdekjen e 350 njerëzve. Gjykata nxori vendim se paqeruajtësit holandezë i evakuuan burrat nga baza e tyre ushtarake, megjithëse e dinin se ata ishin “në rrezik për t’u abuzuar dhe vrarë”.

Artillio punon me të rinjtë, veçanërisht me ata që janë të shqetësuar dhe në ankth, dhe dokumentari është një projekt në të cilin po punon me miqtë.

“Unë përpiqem t’u ndihmoj të rinjve ta gjejnë rrugën e kthimit në shoqëri”, thotë Artillio.

Tamika është fotografe nga Amsterdami, e cila po merr pjesë në dokumentarin për Srebrenicën dhe në Marshin e Paqes.

“Tregimi rreth këtij marshi është magjepsës. Ne udhëtojmë shumë dhe kemi dëgjuar shumë rrëfime nga favelat braziliane apo ato në Afrikë. Tregime të vështira. Por, ne duam t’iu tregojmë njerëzve për këtë. Është frymëzuese”, thotë Tamika.

Dejan Kozhull, gazetar nga Beogradi, ka qenë në Potoçari disa herë. Motivi i tij është që viktimat të nderohen gjithmonë.

“Ky marsh është një hap përpara në atë drejtim. Unë e kam edhe një motiv shtesë, po ashtu, i cili është miku im Brico, nga Srebrenica, i cili ishte në mesin e të parëve që e kaloi rrethin metalik dhe shkoi në Nezuk, nga Srebrenica, më 1995. Ai thotë se ky, Marshi i Paqes, është sikur një ekskursion, krahasuar me marshin e vitit 1995, dhe ka të drejtë, natyrisht. Ne kemi nevojë për një Marsh të Paqes, dhe sa më shumë prej nesh nevojitet të marrin pjesë në të. Unë kam ardhur me dy miq të tjerë nga Beogradi”, tha Dejani.

Jelena Jaçimoviq, një artiste nga Beogradi, erdhi me të.

“Kisha një ekspozitë në Muzeun e Potoçarit. Aty bëra prezantimin e dëshmive materiale të historisë orale dhe kisha prova të plota materiale, si dhe dokumentacionet e Tribunalit të Hagës”, thotë Jelena, e cila shton se kërkimet i bëri në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare.

Ajo bëri vizatime dhe tekste, me ndihmën e materialeve nga arkiva, dhe i prezantoi ato në Muze për përvjetorin e tij të 21-të. Ato janë tani pjesë e instalacionit të përhershëm.

Alexanderi nga Frankfurti erdhi në Marshin e Paqes me qenin e tij, Eni. Ai thotë se është duke udhëtuar që nga nëntori.

“Kam ruajtur ca para dhe po udhëtoj me një furgon, të cilin e kam stolisur vetë, pra nuk është shumë i shtrenjtë. Doja të vija vitin e kaluar, me mikun tim Salko, i cili jeton në Frankfurt, po ashtu, por s’ia dolëm. Salko bisedoi me mua shumë, për gjithçka. Unë kam qenë në Bosnje dhe Hercegovinë dy herë tashmë, por kjo është hera e parë që po marr pjesë në marsh. E pashë Muzeun e Gjenocidit në Srebrenicë, dhe vendosa të shkoj në marsh, gjithashtu”, tha gjermani.

Tre shokë nga Gjermania erdhën në Marshin e Paqes, gjithashtu. Timo Kraas thotë se ai është pastrues oxhakësh, i martuar me një grua boshnjake, e cila kishte qenë pjesë e klasës së tij në Gjermani në vitin 1993, si refugjate.

“Ne u takuam atëherë si 13-vjeçarë, dhe më vonë u martuam”, thotë ai.

“Në vitin 1998, shkova për herë të parë në Sarajevë, e cila ishte e shkatërruar në atë kohë. Që atëherë, vij rregullisht. Kjo është hera e dytë që marr pjesë në Marshin e Paqes. Është e rëndësishme ta shënojmë atë, në mënyrë që të mos harrohet, dhe unë dua të ndihmoj në arritjen e kësaj, duke marrë pjesë. Këtë herë, po e përjetoj marshin edhe me shumë”, tha Timo.

Samir Fetiq është me origjinë nga Kakanji, Bosnja qendrore. Ai thotë se ka qenë në Potoçari më parë, por kjo është hera e parë që ai merr pjesë në Marshin e Paqes. Në Dortmund, ku ai jeton, ata po e organizojnë një marsh të paqes, si përkujtim për gjenocidin e Srebrenicës.

Me Semirin dhe Tumin është edhe Gunteri.

“Këtu shoh njerëz të cilët janë paqësorë, dhe nuk duan hakmarrje, por që thjesht duan që vuajtjet e tyre të pranohen dhe të njihen. Dikush iu vrau vëllain, të birin, apo babanë e tyre, por ata nuk duan hakmarrje”, thotë Gunter.

Ai thotë se, për të, kjo është bukuria e Bosnje dhe Hercegovinës, “njerëz paqësorë, të këndshëm, të cilët po kërkojnë vetëm që vuajtjet e tyre të njihen”.

Synimi i Marshit të Paqes është t’i nxisë aktorët e rëndësishëm vendës dhe ndërkombëtarë t’i arrestojnë dhe t’i ndjekin penalisht më shpejt njerëzit përgjegjës për krimet e kryera, si një parakusht për ndërtimin e paqes dhe tolerancës në mesin e njerëzve në Bosnje dhe Hercegovinë.

Më shumë se 50 njerëz janë dënuar deri tani, me më shumë se 700 vjet burgim, për gjenocid dhe krime në Srebrenicë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA