Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka zbuluar detaje nga rasti i Xhisiela Malokut dhe kërcënimet që e çuan në azil oficerin e Policisë, Emiliano Nuhu.
Për “Top Story”, Hoxha rrëfen se kur çështja “Xhisiela Maloku” mori dhenë, Nuhu pati dy zyrtarë të shtetit që e konsideronin tradhëtar. Kështu u detyrua t’i shkruante drejtorit të Përgjithshëm të Policisë të Shtetit, asokohe Ardi Veliut, një e-mail zyrtar në të cilën evidentonte rrezikshmërinë e personave që po i rrezikonin jetën.
Në email, Nuhu listonte të gjithë personat e familjes dhe të fisit Rrahja, duke filluar nga Ledian Rraja dhe deri tek persona të tjerë me precedent penal të fisit Rraja, si persona të rrezikshëm, ndërsa kërkonte transferimin larg tyre me argumentin se ata i zgjidhnin punët përmes eksplozivit.
Oficeri i zbulimit u dërgua me shërbim në Berat, shumë larg qendrës së tij të banimit, dhe Xhisiela Maloku që deri dje pretendonte se nuk i ishte marrë denoncimi nga Policia, u tërhoq nga kauza duke e trajtuar rastin si mëri e hatërmbetje mes të dashuruarish, ndërsa theksonte se nuk ishte dhunuar.
“Në fakt mua ma nisën videon. Nuk mund të them se cili është personi që ma nisi, por duke qenë se unë kam raportuar për zonën e Krujës, të Fushë-Krujës dhe disa zona të tjera, për Emiliano Nuhun dhe një çështje që u njoh si Xhisiela Maloku, pra për rikujtesë: bëhet fjalë për një vajzë që shkoi në Komisariatin e Fushë-Krujës dhe depozitoi një kallëzim, duke thënë se ishte dhunuar nga djali i deputetit socialist.
Emiliano Nuhu, më pas, ngriti pretendimet se ishte kërcënuar. Shtetasja në fjalë u zhvendos dhe tentoi të bëjë sërish një denoncim, për t’u tërhequr më pas sërish nga denoncimi. Nuhu ishte një oficer zbulimi e përdorur nga policia e shtetit shqiptar në operacionet antidrogë. Por në momentin kur në atë kohë drejtor i Përgjithshëm i Policisë të Shtetit ka qenë Ardi Veliu, madje pati dy zyrtarë që dolën në konferencë për shtyp duke e konsideruar Emiliano Nuhun si tradhëtar, pasi ai i dërgoi një email Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ku kishte evidentuar rrezikshmërinë e personave që sipas tij po i rrezikonin jetën, dhe ai liston në këtë email të gjithë personat e familjes dhe të fisit Rrahja, si Ledian Rraja dhe persona të tjerë të lakuar dhe me precedent penal të fisit Rraja.
Në një moment të emailit, Nuhu shkruan se ka personazhe në këtë zonë që veprojnë përmes eksplozivit, por unë jam babai i një fëmije, më rrezikohet jeta, prandaj ju lutem më transferoni nga ky Komisariat.
Dhe në fakt ai e mori përgjigjen, u transferua në një Komisariat në një qytet tjetër shumë larg familjes së tij, në Berat. Ju e mbani mend luftën që nisi. Nga njëra anë Policia pretendonte se nuk kishte asgjë të vërtetë në mosmarrjen e një denoncimi për Xhisiela Malokun. Maloku më pas u tërhoq nga kjo kauzë, duke treguar se kjo çështje ishte një çështje të rinjsh në mëri me njeri-tjetrin dhe nuk kishte ndodhur të ishte dhunuar.
Me vonesë reagoi Gjykata dhe Prokuroria”- tha Hoxha.
Top Channel