Dhuna barbare në Borizanë nga fisi Rraja, policia jep informacion zyrtar

10/07/2023 13:38

Policia e Shtetit ka reaguar sërish për ngjarjen e rëndë në Borizanë të Krujës, ku tre anëtarë të fisit Rraja dhunuan barbarisht dy persona.

Policia e Shtetit thotë se Policia e Krujës, pas denoncimit të bërë nga Bilbil Maja për shkatërrim të pronës, ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme policore, dhe më 5 maj ka referuar në Prokurori, materialet procedurale prej 20 faqesh, mbi këtë kallëzim.

Materialet procedurale të referuara përfshinin informacionin e referimit të veprës penale, procesverbalin e kallëzimit, procesverbalin e këqyrjes së vendit, procesverbalin e deklarimeve dhe procesverbalin e këqyrje-marrjes së provave materiale.

5 ditë më vonë, Policia e Krujës,ka referuar në Prokurori,  materialet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal. Materialet e para procedurale përfshinin referimin e veprës penale, procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, procesverbalet e këqyrjes së banesave, procesverbalet e deklarimeve të personave që kanë dijeni, vendimin për caktimin e ekspertit dhe për caktimin e ekspertimit teknik, si dhe procesverbalin për këqyrjen dhe marrjen e dokumenteve.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve policore për këtë rast, Policia e Krujës, më datë 30.05.2023, ka referuar në Prokurori, me shkresën nr. 1466/1, materiale procedurale shtesë të kryera në funksion të dokumentimit të plotë ligjor të këtij rasti.

“Theksojmë se Policia e Krujës ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për këtë rast, me paanshmëri dhe konform ligjit, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të shtetasve përgjegjës. Kallëzimi i marrë për këtë rast, si dhe çdo indicie tjetër, janë trajtuar në zbatim të procedurave standarde të punës dhe çdo material procedural i është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për kryerjen e hetimeve të thelluara.”-thuhet në reagimin e policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA