“Darkë në Dajt me mikun amerikan”/ Basha takim me McCarthyn: Në fokus rikthimi i PD-së në alternativë qeverisëse

10/07/2023 23:05

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me Drejtorin për Europën në Institutin Republikan Amerikan, Paul McCarthy, njëherazi ekspert dhe promovues i demokracisë në Shqipëri dhe vendet e rajonit.

Lajmin e ka bërë me dije vetë demokrati, teka përmes një mesazhi në Twitter shkruan se gjatë një darke, pati kënaqësinë të shkëmbente mendime me mikun e tij amerikan.

Basha thekson se në fokus të takimit ishte bashkëpunimi me IRI për forcimin i kapaciteteve të PD dhe kthimin e saj në alternativë qeverisëse, zgjedhjet e lira, transparenca, llogaridhënia politike, lufta kundër korrupsionit, si dhe zhvillimet në Kosovë e rajon.

“Gjatë një darke në Dajt me mikun nga SHBA, Z. Paul McCarthy, Drejtori për Europën në Institutin Republikan Amerikan (IRI) pata kënaqësinë të shkëmbenim mendimet me këtë bashkëudhëtar të zhvillimeve politike në Shqipëri prej 3 dekadash dhe njohës të regjur të rajonit tonë.

Në qendër të bisedës ishte bashkëpunimi i PD me IRI për forcimin e kapaciteteve të PD dhe kthimin e saj në alternativë qeverisëse, zgjedhjet e lira, transparenca, llogaridhënia politike, lufta kundër korrupsionit, si dhe zhvillimet në Kosovë e rajon. Mirënjohës për ndihmën e pakursyer të Institutit Republikan dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikës!”- tha Basha.

Top Channel