Kryeministrat e Greqisë dhe Shqipërisë do të takohen në Vilnius pasditen e datës 11 korrik.

Lajmi konfirmohet prej burimeve të Top Channel pranë qeverisë greke.

Sipas informacioneve, ka qenë pala greke, e cila ka pranuar që dy liderët të takohen për të ristartuar bisedimet dhe kontaktet e ndërprera për shkak të fushatës zgjedhore në Greqi por edhe të çështjes Beleri.

Burimet i thanë Top Channel se pikërisht çështja Beleri do të jetë kryefjala e bisedimeve, me zotin Micotaqis të ripërsërisë këtë herë edhe në takim tet a tet me kryeministrin Rama, se zoti Beleri duhet të vijojë detyrën si kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës, në funksion të asaj që Athina e quan funksionim i shtetit të së drejtës dhe respektimi i pakicave kombëtare dhe minoriteteve në vendin tonë.

Përkundër lehtësimit të masës ndaj zotit Beleri, Athina ka kërcënuar se do të jenë organizmat europiane të cilat do të penalizojnë Tiranën zyrtare në rrugën e saj europiane nëse zoti Beleri nuk do të lejohet të ushtrojë detyrën e tij si kryetar i zgjedhur në bashkinë e Himarës.

Mbetet për të parë sesi zoti Rama do t’i shpjegojë homologut të tij grek se as ai dhe askush nuk mund të ndërhyjë pranë gjykatës së posaçme për zotin Beleri, pasi ajo është një gjykatë që deri tani ka treguar se nuk merr as komandë dhe as orientime prej qeverisë socialiste të Tiranës, çka tregon edhe fakti se kjo gjykatë ka goditur jo pak eksponentë të së majtës shqiptare.

Në variantin më të mirë pritet që Athina të mirëkuptojë situatën dhe të anashkalojë ngërçin e krijuar prej arrestimit dhe mbajtjes së burg të Fredi Bejlerit, për t’i hapur rrugë proceseve të tjera të inicuara prej dy vendeve gjatë fazës së parë të bisedimeve, siç është përshpejtimi i dërgimit të çështjes së detit në gjykatën e Hagës, tashmë që presidenti Begaj dha edhe autorizimin formal për komisionin që do të negociojë me Greqinë për këtë çështje, apo projektet e mëdha të rajonit, bashkëpunimi në rrugën europiane të vendit tonë apo çështjet e vjetra të mbartura mes dy vendeve ndër vite.

Në variantin më pesimist të këtij takimi dhe konfirmimit të mosmarrëveshjeve të mundshme mes dy vendeve, atëherë dimri do të nisë më herët në klimën mes dy vendeve, duke konfirmuar qëndrimin e atyre që nuk besojnë se marrëdhëniet mes Athinës dhe Tiranës janë të sinqerta, por ato preken rëndë sa herë njëra apo tjetra palë ka një pakënaqësi.

Vlen të përmendet se ky do të jetë takimi i parë me palën shqiptare në të cilin zoti Micotaqis do shoqërohet prej ministrit të ri të Jashtëm grek, Jorgos Gjerapetritis dhe jo prej Nikos Dendias i cili tashmë është ministër i Mbrojtjes së republikës helenike.

Top Channel