
Të paktën 6 vetë humbën jetën nga flakët që gllabëruan një azil të moshuarish në Milano të Italisë.
Një sërë personash të tjerë që ndodheshin aty janë shtruar në spital. Kryebashkiaku Giuseppe Sala, që e vizitoi vetë godinë pas zjarrit, tha se dy prej viktimave vdiqën nga flakët, ndërsa 4 të tjerë u asfiksuan nga tymi.
“Zjarri nisi në një dhomë ku ishin dy gra të moshuara. Që të dyja vdiqën aty në vend. Flakët nuk u përhapën në dhomat ngjitur, por tymi ishte aq i fortë e vdekjeprurës sa prej tij ndërruan jetë edhe katër persona të tjerë. Bilanci i kësaj ngjarjeje të rëndë është 6 viktima, por mund të kishte qene edhe më keq”, shprehet kryetari i bashkisë së Milanos Giuseppe Sala.
Banorë të zonës shprehen të tronditur nga kjo që ndodhi.
“Skena ishte një ferr i vërtetë. Pamë të moshuarit që mbulonin fytyrat me lecka të lagura; e një dritare që u plasarit nga nxehtësia”, tha një banor.
Autoritetet po hetojnë për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, të cilat nuk janë zbardhur ende. Pesë nga viktimat ishin gra të moshave 69 deri në 87 vjeç, tjetri është një burrë 73 vjeç. Rreth tetëdhjetë vetë u dërguan me urgjencë në spital, dy prej të cilëve po luftojnë për jetën, ndërsa edhe rreth 14 persona janë në gjendje të rëndë, sipas mediave vendase.
Top Channel