SHBA: Tre avionë luftarakë rusë vënë në rrezik tre dronë amerikanë në Siri

06/07/2023 16:16

Ushtria amerikane bëri të ditur se një grup prej tre avionësh luftarakë rusë rrezikuan tre dronë amerikanë që po kryenin një mision të mërkurën kundër objektivave të grupit të Shtetit Islamik në Siri.

Komandanti i Forcave Ajrore amerikane në Lindjen e Mesme, gjeneral lejtnant Alex Grynkewich, tha se avionët rusë lëshuan mjete me sinjale piroteknike përpara dronëve amerikane, duke i rrezikuar ata. Një gjë e tillë i detyroi operatorët e dronëve të ndërmarrin veprime për t’i shmangur ato.

Forcat Ajrore Amerikane publikuan edhe pamje të incidentit, ku shihen pajisjet piroteknike, të lëshuara nga një avion rus SU-35.

Gjenerali Grynkewich tha gjithashtu se një nga pilotët rusë kreu manovra përpara një prej dronëve amerikane, duke ndezur pjesën e pasme të avionit luftarak, që lëshon flakë. Një veprim i tillë vuri në rrezik dronin amerikan.

“U bëjmë thirrje forcave ruse në Siri që të ndalin këtë sjellje të papërgjegjshme dhe t’u përmbahen standardeve të një forcë ajrore profesionale, që ne të ripërqendrohemi tek mposhtja e ISIS-it”, tha zoti Grynkewich në një deklaratë.

Ushtria amerikane nuk specifikoi se në cilën zonë të Sirisë kishte ndodhur incidenti.

Në Siri janë dislokuar rreth 900 forca amerikane për të këshilluar dhe ndihmuar forcat e udhëhequra nga kurdët, në përpjekjet e tyre për të mposhtur grupin e Shtetit Islamik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA