Pajisjet e sekuestruara në kampin e muxhahedinëve/ Policia: Po kryhen ekspertime digjitale, nuk janë dërguar jashtë vendit!

06/07/2023 17:32

Policia e Shtetit ka dhënë informacion shtesë mbi pajisjet e sekuestruara në kampin e muxhahedinëve disa ditë më parë. 

Në njoftim bëhet me dije se ato pajisje nuk janë dërguar jashtë vendit dhe se po kryhet ekspertza digjitale e tyre.

Policia njofton se nuk ka pasur asnjë komunikim me shtetin iranian.

Njoftimi i Plotë: 

Përgënjeshtrim në lidhje me disa lajme që qarkullojnë në media, mbi pajisjet e sekuestruara tek kampi ASHRAF 3, në Manzë, Durrës.

Policia e Shtetit prej disa ditësh, ndjek në rrjete sociale dhe në media, njoftime të ndryshme të cilat kanë të bëjnë me veprimet e kryera nga Policia, për sa i përket pajisjeve të sekuestruara në kampin ASHRAF 3, në Manzë, Durrës, më datë 20.06.2023.

Në këto njoftime bëhet me dije apo lihet të nënkuptohet, se pajisjet kompjuterike të sekuestruara në kampin ASHRAF 3, në Manzë, Durrës, më datë 20.06.2023, janë dërguar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe se ka patur kontakte me shtetin iranian apo me shtetas të këtij shteti, në lidhje me to apo për më gjerë përsa u përket hetimeve që po zhvillohen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Përsa sipër Policia e Shtetit sqaron se:

• Asnjë nga strukturat e saj hetimore dhe të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nuk ka pasur kontakte me shtetin iranian apo me shtetas të këtij shteti.
• Të gjitha pajisjet e sekuestruara janë vendosur në dispozicion të strukturës përkatëse e cila do të kryejë ekspertimet digjitale, sipas procedurës ligjore.
• Asnjë nga pajisjet kompjuterike të sekuestruara dhe asnjë material i nxjerrë nga këto pajisje, nuk është dërguar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
• Të gjitha njoftimet që qarkullojnë në rrjete sociale dhe media për sa më sipër, janë jo vetëm të rreme por dhe në raste specifike kanë qëllime të tjera të cilat shkojnë përtej informimit të publikut.
Policia e Shtetit qëndron gjithmonë në dispozicion dhe në mbrojtje të interesave të ligjshme të qytetarëve të saj dhe të kujtdo që banon në Republikën e Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA