Milani bën ofertën finale, gati firma me një tjetër futbollist të Chelsea-t

06/07/2023 08:45

Christian Pulisic gjithnjë e më pranë Milanit. Fantazisti amerikan ka refuzuar ofertën e Lyonit dhe u ka bërë të qartë drejtuesve të Chelsea-t e dëshiron transferimi nën Serinë A, teksa edhe kuqezinjtë kanë bërë lëvizjen e radhës për ta afruar.

Sipas mediave italiane, Milani ka bërë një ofertë të fundit prej 20 milionë eurosh, plus dy të tjera në formë bonusi, për të marrë kartonin e sulmuesit amerikan, i cili nuk ka gjetur hapësira te Chelsea.

Aktualisht londinezët po reflektojnë, megjithatë palët janë optimiste që marrëveshja do të arrihet këtë mbrëmje, në mënyrë që Pulisic të kryejë testet mjekësore dhe të transferohet në anën kuqezi të Milanos.

Fantazisti 25-vjeçar amerikan i është bashkuar Chelsea-t në 2019-ën dhe që atëherë numëron 145 ndeshje dhe 26 gola të shënuar, por nuk ia ka dalë të shndërrohet në një titullar të padiskutueshëm.

Pulisic ka treguar se di të përshtatet mirë si pas sulmuesit, ashtu edhe në krah të sulmit, teksa kampionatin italian e sheh si trampolinën e duhur për t’u rikthyer në nivelet e tij më të mira. /Supersport

Top Channel