Prokuroria e Durrësit kërkon konfiskim të pasurive të sekuestruara dhe 6 vjet burg për anëtarin e Camorras italiane Ferdinando Muollo i arrestuar në Durrës për pastrim parash.
Muollo, i njohur ndryshe si dentisti mafioz italian, akuzohet për veprën penale “Pastrimi i Produkteve të Veprës Penale ose Veprimtarisë Kriminale”, ndërsa në Itali është dënuar për vrasje. Pas arrestimit atij iu sekuestruan apartamente dhe garazhe në Durrës, të cilat pritet të konfiskohen.
Pas hetimeve 18 mujore, në nëntor të 2019-s, 5 apartamente banimi, me sipërfaqe 413.8 m2, 13 garazhe me sipërfaqe 622.7 m2, të gjitha në Durrës, një automjet me vlerë 40 000 euro dhe afro 10 000 euro llogari bankare u vunë nën sekuestro.
Italiani kishte leje qëndrimi në vendin tonë ku ishte zhvendosur për t’i shpëtuar hakmarrjes pasi u gjet fajtor dhe u dënua me burg për vrasjen e ish ortakut të tij në Itali Salvadore Ridosso. Në vendin tonë, Muollo banonte në zonën e plazhit të Durrësit, ndërsa ushtronte aktivitete tregtare në fushën e tregtimit të pajisjeve dentare dhe laboratorëve dentarë.
Top Channel